5 Qershor, 2019

Lidershipi fillon nga vetja!

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Lidershipi është influencë dhe ka një fuqi të jashtëzakonshme, duke përcaktuar ndryshimin midis suksesit dhe dështimit, në gjithçka që ne bëjmë për veten tonë apo grupimin/organizatën së cilës i përkasim.

Lidershipi mundëson realizimin e qëllimeve dhe objektivave duke drejtuar, motivuar dhe angazhuar njerëzit me të cilët punojmë. Aftësia e një lider-i është të kuptojë talentin dhe aftësitë e njerëzve pranë tij dhe t’i motivojë ato për t’i shpalosur këto cilësi, edhe kur janë të fjetura. Historia e njerëzimit ka treguar që individët e suksesshëm kanë qenë të tillë me ndihmën e njerëzve të tjerë, të cilët i kanë besuar dhe ndjekur.

Kjo më kujton shprehjen e shkruar në kujtim, pas vdekjes së Andrew Carnegie:

“Këtu prehet ai që dinte si të mblidhte rreth vetes njerëz më të mençur se ai vetë”.

Njerëzit e suksesshëm kanë motivuar dhe udhëhequr të tjerët jo për atë çka thonin, por për atë që bënin. Lider-i dallohet nga të tjerët për karakterin e tij, integritetin, njohuritë, eksperiencën, intuitën dhe shumë cilësi te tjera. Por askush nuk lind me të gjitha këto cilësi, por vendos të bëhet i/e tillë. Dhe që të mund të drejtojmë të tjerët duhet së pari të dimë të drejtojmë veten tonë. Dhe kjo fillon nga një vlerësim paraprak: Çfarë cilësish i duhen një lider-i?

Sipas John Maxwell, ka shtatë faktorë apo cilësi që një lider-i i duhen:

  • Karakteri – Integriteti, ndershmëria, respekti janë cilësi që përbëjnë karakterin
  • Marrëdheniet – Cilët janë njerëzit e rrethit tuaj të afërm? Është e rëndësishme të rrethohemi nga njerëz që ndihmojnë dhe nxisin zhvillimin tonë.
  • Njohuritë – Është e rëndësishme të kemi njohuritë e duhura, shkallë ekspertize që na ndihmon për të drejtuar
  • Intuita – Të qënurit energjik, njohja e momentit dhe kohës së duhur për të ndërmarrë veprimet që realizojnë synimet
  • Eksperienca – Sfidat, dështimet e së kaluarës përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në lidership
  • Suksesi – Çfarë keni arritur? Risqet që keni ndërmarrë, sfidat? Çfarë keni mësuar dhe ndryshuar në jetën tuaj?
  • Aftësitë – Çfarë aftësish zotëroni? Dhe sa të përkushtuar jeni në përmirësimin e tyre dhe në zhvillim personal?

Pasi të bëni një vlerësim të vetes tuaj, përcaktoni çfarë doni të arrini dhe si? Këtu fillon puna e vertëtë, me veten! Lider nuk bëhesh brenda një dite, por ditë pas dite duke investuar tek vetja!

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *