5 Qershor, 2019

Inteligjencë Emocionale e Lartë vs. e Ulët (shembuj konkretë)

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Më poshtë do të mund të lexoni disa shembuj të individëve që kanë inteligjencë të ulët dhe të lartë emocionale… krahasimet mund t’i bëni vetë dhe vlerësoni se sa e rëndësishme është kjo cilësi për ju. Shemujt janë marrë nga libri Emotional Intelligjence 2.0

Dy shembuj:

1. Inteligjencë e lartë emocionale (92 pikë nga 100)

Maya S., drejtuese për zhvillim organizativ

Pikët e vetëdijes sociale = 92

Çfarë thonë njerëzit që punojnë me të:

“Maya ka një aftësi të jashtëzakonshme për të identifikuar dhe folur për “elefantin në dhomë”. Ajo bën një punë të mirë në identifikimin e emocioneve të të tjerëve kur i duhet të komunikojë një lajm negativ. Ajo reflekton sesi të tjerët po ndihen dhe e përshtat stilin e saj të komunikimit në mënyrë që të arrihet në një zgjidhje. Ajo arrin t’i njohë njerëzit në një nivel personal në mënyrë që të kuptojë perspektivat e tyre dhe të punojë mirë me ta.”

“Maya është profesioniste në mbledhjet me skuadrën ekzekutive dhe dëgjon me respekt kolegët e saj dhe më pas jep mendimin e vet. Ajo ka një interes të sinqertë në kuptimin e njerëzve të tjerë dhe u ofron njohuri të vlefshme në bazë të asaj çka ata po thonë ose po bëjnë. Ajo di të krijojë dhe të ketë lidhje të forta me skuadrën.”

“Maya është një nga ‘dëgjueset aktive’ më efektive që kam parë ndonjëherë. Ajo ka aftësi në komunikimin e ‘kontekstit’ për komentet e saj me qëllim që të lehtësojë të kuptuarit për të tjerët. Ajo është e respektueshme ndaj të tjerëve dhe në të njëjtën kohë ndërton autoritetin e saj. Maya motivon dhe frymëzon të tjerët. Ajo mund t’i ngrejë njerëzit lart dhe t’i qetësojë ata.”

 

2. Inteligjencë e ulët emocionale (61 pikë nga 100)

Mei S., drejtoreshë rajonale shitjesh

Pikët e vetëmenaxhimit = 61

Çfarë thonë njerëzit që punojnë me të:

“Mei nuk duhet të jetë kaq e sinqertë. Stafi i saj nuk ka nevojë të dijë gjithçka që ndodh në korporatë. Nëse ka disa gjëra që e mërzisin, ajo duhet të mësohet që t’i mbajë për vete. Kur ajo nuk është e lumtur, kjo ndikon në skuadrën tonë. Mei ka tendencën që të shfaqë stres në situata të ndryshme, dhe duke qenë se është drejtuese, kjo ndikon negativisht në skuadrën e saj duke krijuar stres dhe negativitet në vend që ajo t’i largojë këto ndjenja.”

“Mei e ka të vështirë të përgëzojë stafin e saj për arritjet e tyre dhe kjo duket si xhelozi. Ndihet sikur unë jam duke konkuruar me të në vend që të ndihem sikur ajo ka dëshirë që unë të arrij sukses. Mendoj se Mei është një profesioniste e mirë në shitje dhe i trajton klientët mirë. Do të dëshiroja që ajo të trajtonte njësoj punonjësit e saj.”

“Mei ka nevojë që të jetë proaktive në vend që të shfaqet reaguese. Në kohë krize, ajo nuk duhet t’u tregojë të gjithëve sesa e stresuar që është. Është e fokusuar dhe e motivuar që të arrijë sukses personal dhe mbase kjo e bën që të marrë shumë gjëra përsipër. Ajo ka një axhendë kërkuese pasi menaxhon skuadrën e Bregut Perëndimor, por ajo ka nevojë që të kontrollojë emocionet e saj kur njerëzit flasin për problemet e tyre në mbledhje.”

Cili nga shembujt ngjason më shumë me ju?

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *