5 Qershor, 2019

Harmonia ‘Unë-Familje-Punë’; Një perspektivë e re për gratë

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

Koncepti i krijimit të balancës “punë-familje” lindi kryesisht në Amerikë pas Luftës së Dytë Botërore, kur Amerika dhe vendet e Evropës Perëndimore njohën një rritje të shpejtë ekonomike, social-kulturore dhe ndryshime rrënjësore në mënyrën e të jetuarit.

Gratë në këtë periudhë jo vetëm që fituan liri dhe të drejta për të votuar dhe për t’u mbrojtur me ligj në aspekte të ndryshme, por u bënë një forcë e rëndësishme në zhvillimin e ekonomisë. Gratë e brezit “baby boomers” (fëmijët që lindën pas Luftës së Dytë Botërore) ishin brezi që ndryshuan njëherë e përgjithmonë mënyrën sesi femra konceptohej në shoqëri, tashmë si pjesë e natyrshme e tregut dhe punës, si vendimmarrëse, krijuese apo udhëheqëse, dhe jo më si një amvisë që ka për detyrë të rrisë fëmijët dhe të kujdeset për shtëpinë.

Koncepti i balancës “punë-familje” është krijuar për gratë që filluan të punonin më orë të plota dhe që duhej gjithashtu të kujdeseshin për fëmijët dhe shtëpinë (duke qenë se gruaja duhej të luante rolin më të madh në këtë aspekt).

E shkrova këtë parantezë për t’ju ndihmuar të kuptoni më qartë logjikën rreth konceptit “balancë punë-familje” dhe për t’ju shpjeguar se përse ky koncept është i vjetër tashmë, i vështirë për t’u aplikuar  dhe për t’ju prezantuar me një koncept tërësisht të ri.

Balanca përkufizohet nga fjalori shqip si “përpjesëtim i njëjtë i forcave në të dy anët”. Duke ndjekur këtë logjikë, nëse ne kalojmë 8 orë në punë, duhet që të “punojmë” 8 orë të tjera për t’u kujdesur për familjen dhe shtëpinë tonë.

Në pamje të parë, kjo ndarje duket e arritshme por nëse i zbërthejmë elementët përbërës të këtij ekuilibri, do të vëmë re që një balancë e tillë është e pamundur të arrihet.

Karriera, profesioni, puna janë koncepte shumë dinamike dhe të ndryshueshme në ditët e sotme. Gratë që duan të zhvillojnë një karrierë të suksesshme, janë duke bërë një punë 8 orarëshe, duke ndjekur një kurs online apo një trajnim, duke lexuar një libër që do t’u mësojë diçka të re mbi profesionin e tyre, etj. Karriera në ditët e sotme është kërkuese, kërkon kreativitet dhe mendim kritik, është konkuruese dhe mbi të gjitha është një fushë me mundësi të pafundme për t’u rritur dhe zhvilluar. “Puna në zyrë” nuk është më vetëm 8 orë punë fikse.

Familja është gjithashtu një koncept mjaft dinamik dhe që kërkon shumë përkushtim. Familja përbëhet nga partneri të cilit duhet t’i kushtojmë vëmendjen dhe kohën e duhur, fëmijët të cilët kanë kërkesa të vazhdueshme në të gjitha aspektet, kujdesi për shtëpinë, etj. Sigurisht që familja kërkon më shumë se 8 orë përkushtim në ditë.

Dhe vijmë tek një pjesë tjetër e padukshme dhe që nuk është marrë në konsideratë nga koncepti tashmë i vjetëruar “balancë punë-familje”: vetja jonë!

Ne kemi nevojë të kujdesemi për veten tonë në të gjitha aspektet e mundshme, në mënyrë që të ndihemi të përmbushura dhe të lumtura. Duhet të kemi një jetë sociale aktive dhe të shëndetshme, të gjejmë kohë që të reflektojmë mbi veten dhe qëllimet tona, të gjejmë kohë që të relaksohemi dhe të kujdesemi për fizikun tonë, etj. Edhe ne jemi qenie shumë dimensionale dhe kemi nevoja të shumta personale, të cilat shpesh nuk i marrim parasysh.

Ajo çfarë unë jam munduar të krijoj është një harmonizim midis këtyre tre elementëve: t’i kushtoj vëmendje vetes time, familjes dhe karrierës njëkohësisht.

Si mund ta bëjmë këtë gjë? Gjithçka fillon nga perspektiva ime, gjithçka fillon nga gjendja ime mendore, emocionale, shpirtërore dhe fizike. E gjithë harmonia në jetën time fillon nga harmonia që unë arrij të krijoj brenda vetes time, sesa e qetë dhe e lumtur arrij të ndihem.

Si kam arritur ta bëj këtë gjë? Unë kam ndjekur një strategji të thjeshtë: kam reflektuar mbi veten time dhe çfarë dua të arrij, sesi dua ta jetoj jetën time dhe i kam shkruar këto mendime në letër. Kam krijuar një plan me objektiva të qarta dhe të arritshme dhe kam punuar çdo ditë që t’i arrij prioritetet që i  kam vënë vetes, në lidhje me të tre aspektet më të rëndësishme: vetja, familja, puna.

Nganjëherë zgjidhja për probleme (që në dukje duken shumë të mëdha) është kaq e thjeshtë. Mjafton një organizim i mendimeve, dëshirave, nevojave që kemi dhe krijimi i një plani që DUHET APLIKUAR.

Kur ne jemi në aplikim të një plani apo strategjie, jeta nuk është më kaotike, ne nuk ndihemi më të humbur, të jetuarit bëhet më i thjeshtë.

Nëse vërtet dëshironi të arrini harmoninë në jetën tuaj, filloni të vendosni vetëm nga 1 ose 2 prioritete për secilën kategori: vetja (nevojat immediate + vizioni për veten), familja (partneri + fëmijët), karriera (puna e tanishme + vizioni për të ardhmen).

Mos harroni: harmonia në jetën tuaj është rezultat i harmonisë tuaj të brendshme, nuk është një gjendje që krijohet nga jashtë por është perspektiva që keni ju për jetën tuaj.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *