5 Qershor, 2019

3 Filtrat Që Aplikonte Sokrati Në Komunikim

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Sokrati, një nga filozofët më të ndritur të të gjitha kohërave i la botës një trashëgimi të çmuar në këshillat që dha gjatë jetës së tij, trashëgimi që është përcjellë me fanatizëm që 2000 vjet ndër shoqëri e kontinente. Le t’i kthehemi kohe pas kohe plejadës së mençurisë… dhe të shikojmë çfarë është thënë dhe si mund t’i aplikojmë në ditët e sotme.

Rastësisht po shikoja një video ku flitej mbi 3 filtrat e Sokratit dhe mendova të shkruaj diçka për të, e cila mund edhe t’ju hyjë në punë. Kur e pyetën Sokratin: “E dini se çfarë mendojnë njerëzit për ju?”, si gjithmonë ai dëgjoi deri në fund me vëmendje (thuhet se Sokrati aplikonte me shumë kujdes metodën e të dëgjuarit aktiv) dhe u përgjigj: “Përdor gjithmonë 3 filtra kur dëgjoj apo them diçka”.

Cilat janë 3 filtrat e Sokratit?

  1. Filtri i së vërtetës.

Ajo që po thua është e vërteta apo thjesht një opinion. Nëse dikush të thotë diçka, që me siguri është një opinion, pyete: “Është e vërtetë kjo që thua? Dhe nga e di ti që kjo është e vërtetë? Buddha këshillonte të bësh pyetje për gjithshka, pasi shpesh herë ato që dëgjojmë i marrim si të vërteta pa marrë parasysh vërtetësinë.

  1. Filtri i vlerës

Nëse ajo që do të thuash ka vlerë të thuhet apo thjesht për muhabet. Në të shumtën e kohës jemi në program auto-pilot, që do të thotë se ne nuk mendojmë nëse ajo çka po themi ka vlerë të thuhet si informacion. E njëjta gjë është edhe kur na thuhet diçka. Bëjini pyetjen tjetrit nëse ajo çka do ju thotë ka vlerë për ju, por edhe për të. Nëse jo, pse duhet shpenzuar aseti më i çmuar – KOHA – për diçka që nuk ka vlerë?

  1. Filtri i një informacioni të mirë

Ajo çka vihet re në përgjithësi, ose të paktën çfarë kam vënë re personalisht është që njerëzit tentojnë të ndajnë me të tjerët informacione negative apo “të këqia” në krahasim me ato pozitive apo “të mira”. Ndaloni një moment së lexuari dhe reflektoni “Është kjo e vërtetë apo thjesht një opinion i Anilës?”.

971e8824473381.56334c885c83c

Fillova të reflektoj mbi 3 filtrat dhe fillova t’i aplikoj. Ajo çka vura re është që fillova të jem më e vëmendshme ndaj informacioneve që ndaja me të tjerët, por ashtu të bëja pyetjet “Është e vërtetë kjo?”; ose sa i/e sigurtë je që kjo është e vërtetë?; ose “si mund ta dish me siguri që është e vërtetë? Etj, etj.

Në fillim bashkëbiseduesit viheshin në vështirësi sepse në fakt është e vështirë të dish sa e vërtetë është diçka, pasi pjesën dërrmuese të së vërtetës e bazojmë në atë çka dëgjojmë nga të tjerët, media, rrjetet sociale, etj., pa u kujdesur të vërejmë burimin nga na vjen informacioni, shkalla e aftësive dhe përgatitjes së atyre që ndajnë opinionet e tyre, etj.

U kujdesa të shprehem që:

  • unë mendoj se;
  • me çfarë kam degjuar;
  • bëra një kërkim dhe më rezultoi kështu;

U kujdesa që të vlerësoj nëse informacioni që do ndaja ishte i vlefshëm për tjetrin po ashtu nëse ishte informacion “i mirë”. Dikush mund të thotë se jo gjithmonë informacionet që duhet të ndajmë janë të mira dhe kjo është e vërtetë. Por në një situatë të tillë, përdor 2 filtrat e tjerë, domethënë nëse është i vërtetë dhe i vlefshëm.

Përdorimi i kombinuar i tyre të vjen shumë në ndihmë. Dhe fillova të ndihem mirë me veten, po kështu dhe me të tjerët… Njerëzit kanë nevojë për pozitivitet, frymëzim dhe motivim. Kontributi ynë është i rëndësishëm! Nëse secili do të përdorë 3 filtrat, bisedat do të jenë më produktive dhe komunikimi më efektiv!

Sa e vërtetë është kjo? Unë po ndaj eksperiencën time dhe natyrisht pa dashur të imponohem. Thjesht provoni t’i aplikoni 3 filtrat dhe shikoni si funksionojnë për ju. Nëse po, vazhdoni… Nëse jo, jam e sigurt që nuk i keni aplikuar… Jeta është një proçes zbulimi i vetvetes… Ky është kuptimi real i saj. Prandaj ndihemi të lumtur kur arrijmë të zbulojmë thelbin e ekzistencës sonë.


Foto nga Irene Rinaldi / Behance & www.openaccessbpo.com

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *