Si të menaxhojmë ankthin dhe depresionin gjatë ditëve të nxehta

 

Stina e verës nuk është një fushë me lule për të gjithë!

Personat që vuajnë nga ankthi apo depresioni kanë rrezik që t’u shtohen simptomat gjatë verës dhe kjo për shumë arsye.

Një nga arsyet kryesore është se depresioni apo ankthi nuk njeh stinë dhe fakti që stina e verës është e hareshme, e gëzuar dhe shumë aktive për disa prej nesh, kjo përkthehet në irritim apo më shumë ankth për persona që po vuajnë shpirtërisht. Fakti që këta persona shohin sesi të tjerët duken të lumtur dhe që po ia kalojnë mirë, i bën të ndihen më keq me veten për faktin që nuk arrijnë dot të shijojnë aventurat e verës.

Nëse ti nuk je në humor gjatë verës apo kur shkon me pushime, shpesh mund të të pyesin: Si mund të mos jesh i lumtur gjatë verës? Po ti, pse je me këtë humor? etj., dhe kjo e bën më të vështirë edhe të kërkosh ndihmë apo të arrish të kuptohesh nga të tjerët se çfarë po ndjen brenda vetes.

Është normale që të ndiheni në ankth apo depresivë edhe gjatë verës dhe këtu nuk ka asgjë anormale. E rëndësishme është që të tregoni kujdes ndaj shëndetit tuaj gjatë kësaj periudhe.

 

Si mund të kujdesemi për shëndetin tonë mendor në raste të tilla?

Gjej persona që mund të të kuptojnë dhe me të cilët mund të flasësh hapur për çfarë ndjen dhe mendon. Është shumë e rëndësishme të kesh afër persona që të kuptojnë dhe që janë të aftë të të dëgjojnë.

Redukto masivisht përdorimin e mediave sociale. Edhe personat më të qetë shpirtërisht ngacmohen nga fotot e mrekullueshme, shumë të lumtura, shumë argëtuese që miqtë e tyre postojnë në rrjetet sociale. Nëse jeni duke kaluar një periudhë ankthi, këto lloj informacionesh do t’jua shtojnë akthin dhe do t’ju bëjnë të ndiheni në faj për faktin që po ndiheni keq dhe që nuk mund të jeni aq të lumtur sa miqtë tuaj. Reduktoni mediat sociale dhe mundohuni të socializoheni me njerëz të rinj, edhe nëse në fillim hezitoni.

Mbaj një dietë të rregullt dhe planifiko ditën. Ushqyerja dhe fjetja në të njëjtën kohë çdo ditë, do t’ju ndihmojë të ndiheni mirë fizikisht dhe të bëni një gjumë cilësor, elementë që do t’ju ndihmojnë në përballimin e ankthit. Gjithashtu, planifikoni ditën dhe dilni që në mëngjes nga shtëpia, qoftë për  një kafe tek bari juaj i preferuar apo për shëtitje gjatë mbrëmjeve kur temperaturat bien.

Shmangni vendet që ju bezdisin. Kush e thotë që duhet të shkoni patjetër në plazh vetëm për faktin që është stina e verës? Nëse ju nuk ndiheni mirë në ambiente si plazhet apo pishinat, thjesht shmangini dhe qëndroni në vende apo kryeni aktivitete që ju bëjnë të ndiheni mirë me veten tuaj.

Depresioni dhe ankthi janë disbalanca normale mentale dhe si të tilla u duhet kushtuar vëmendje dhe kujdes. Nëse janë në forma të lehta, disa ndryshime të thjeshta të mënyrës së jetesës do t’ju ndihmonin: ushqimi i duhur, gjumi cilësor, shëtitjet në ajër të pastër, bisedat me miq me të cilët ndiheni mirë, etj. 

Nëse ndjeni që ankthi juaj shtohet gjatë verës, ju këshilloj që të mbani kontakte me mjekun tuaj dhe të këshilloheni vazhdimisht për hapat që duhet të ndiqni.

Powered by Watch Dragon ball super