5 Qershor, 2019

Si e krijon frika Zonën e Rehatisë

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Frika luan dy role: të na mbrojë nga dhimbja duke na mbajtur në zonën e rehatisë, zonën me të cilën jemi të familjarizuar dhe të na pengojë që të kemi gjithçka që duam në jetën tonë.

Këto dy role përmenden nga Abraham Maslow në librin e tij “Drejt një Psikologjie të Qënies” ku ai shpjegon se “kjo lloj frike është mbrojtëse në sensin që mbron vetë vlerësimin tënd… Ne kemi tendencën të kemi frikë nga çdo lloj njohurie që mund të na bëjë të na vijë turp nga vetja, ose që na bën të ndihemi inferiorë, të dobët, të pavlerë, të këqinj, të turpëruar… Ne gjithashtu kemi tendencën që të shmangim rritjen tonë personale sepse edhe kjo mund të sjellë një lloj tjetër frike… Kjo është sfida që hasim për kapërcimin e vetes… Kështu që, zbulimi i një talenti mund të sjellë ekzaltim por gjithashtu frikë ndaj rreziqeve dhe përgjegjësive… Momenti i të ndjerit frikë është i kuptueshëm por duhet të tejkalohet.”

Le ta shqyrtojmë këtë aspekt më thellë. Puna e parë e frikës është të na mbrojë ndaj çdo ndjenje negative, të na mbajë të sigurtë brenda zonës së rehatisë – zona ku ne ndihemi të sigurtë dhe të pacënuar. Kur ne ishim fëmijë, zona jonë e rehatisë ishte prehëri i mamasë sonë dhe ne ktheheshim aty sa herë që ndiheshim të kërcënuar apo po kërkonim për rehati.

Gjatë kohës që ne rritemi, ne vazhdojmë të rrijmë në zonën tonë të rehatisë (nëse ju jeni person i turpshëm, çdo herë që ju do të ndiheni të kërcënuar / të ngacmuar që të shfaqeni në publik apo të flisni me persona të tjerë, ju do të preferoni të futeni në gjendjen tuaj të “personit të turpshëm” sepse ajo është zona juaj e rehatisë dhe ju ndiheni më mirë nëse shfaqeni si person i turpshëm sesa të dilni nga zona e rehatisë dhe të shfaqeni përballë të tjerëve. Ju e bëni këtë veprim në mënyrë automatike, edhe pse logjikisht ju e kuptoni që ky veprim ju pengon që të jeni personi që ëndërroni të jeni.

Zona juaj e rehatisë përbëhet nga të gjitha situatat, gjendjet apo njerëzit që të bëjnë të ndihesh rehat dhe larg rrezikut edhe kur në të vërtetë janë gjendje që mund t’ju bëjnë të ndiheni keq.

Unë di raste kur njerëzit rrijnë në martesa të dështuara, që bëjnë punë që nuk i frymëzojnë dhe përmbushin, persona që gjenden në situata ku ndihen të ofenduar apo kur të tjerët i bëjnë të ndihen të vegjël vetëm sepse kanë frikë të dalin nga kjo zonë rehatie dhe nuk e dijnë se çfarë i pret jashtë kësaj zone.

Njerëz të tillë preferojnë “djallin” që njohin në vend që të eksplorojnë një botë dhe mundësi që nuk i njohin por kanë frikë.

Në mënyrë që të menaxhojmë frikërat tona dhe ta transformojmë atë energji në mëshirë dhe proçes rritjeje për veten tonë, ne kemi nevojë t’i shkojmë në zemër problemit: të zbulojmë çfarë na ngacmon dhe pse përgjigjemi në mënyra të caktuara ndaj ngacmuesve, pse përjetojmë emocione negative dhe çfarë na shtyn drejt zakoneve vetëshkatërruese.

Një nga klientët e mi është person i turpshëm, duke qenë se karakteri i saj është formuar i tillë që në fëmijëri. Ajo ka dëshirë të rritet dhe të bëhet ndryshe, por në shumicën e rasteve ajo preferon të rrijë në zonën e rehatisë si vendi më i mirë ku ajo mund të ndihet e sigurtë.

Na u deshën disa sesione coaching për ta motivuar dhe bindur klienten që të dilte nga zona e rehatisë, të përqafonte zgjidhje dhe alternativa të reja dhe të tendosej duke e zgjeruar zonën e saj të rehatisë deri në kufirin ku “zona e riskut” zëvendësoi zonën e rehatisë.

Qëllimi ynë ishte që klientja të tendosej më shumë, duke e lejuar zonën e rehatisë të zgjerohet deri sa të zëvendësohet nga zona e tendosjes që tani duket si zona e re e rehatisë.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *