5 Qershor, 2019

Shembull real: Si të dilni nga zona e rehatisë

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Sara ishte mbipeshë dhe kishte vuajtur për vite me rradhë që të binte në peshë. Kishte provuar mënyra të shumta por deri në momentin që u njohëm, asnjë prej tyre nuk kishte funksionuar (kishte provuar dieta të ndryshme disa herë, kishte shkuar në palestër dhe ishte trajnuar me instruktor personal fitnesi, notonte kur nuk kishte mundësi të shkonte në palestër, e të tjera). Pas shumë përpjekjesh, Sara vendosi që të provonte një mënyrë tjetër, duke vendosur të kontaktojë një coach personal.

Kur jemi takuar për herë të parë, Sara ndihej e pashpresë. Kaluam më shumë se dy orë duke folur rreth fëmijërisë së saj, periudhës së adoleshencës, më pas për karrierën dhe jetën e saj personale. Avash avash, ajo filloi të ndihej më energjike dhe u përfshi në bisedë.

I thashë që ajo nuk kishte nevojë për mua që të binte në peshë por unë mund ta ndihmoja që të identifikonte dhe të largonte barrierat e së shkuarës dhe të krijonte një vizion për të ardhmen nëpërmjet coaching.

Në ditën e parë që ne filluam të punojmë së bashku, unë përdora ushtrimin e “zonës së rehatisë”.

E pyeta Sarën se çfarë bënte rregullisht gjatë ditës dhe së bashku identifikuam  rrethin e “zonës së rehatisë”. Kontrollova se sa do ta kuptonte dhe të bindej nga shprehja “Nëse do të shkosh diku që nuk ke qenë asnjëherë, duhet të bësh diçka që nuk e ke bërë asnjëherë.”

Duke qenë se klientja ime kishte një IQ mbi mesataren, ajo mund të kuptonte menjëherë domethënien e shprehjes por u shpreh se pavarësisht se sa shumë donte që të binte në peshë, nuk mundej dot ta bënte një gjë të tillë.

Ne filluam me seancat e coaching dhe Sara filloi të kuptonte shumë gjëra. Ndër frikërat që ajo kishte, ajo kuptoi që kishte patur gjithmonë frikë se njerëzit nuk do ta donin. Ajo kujtoi kur ishte fëmijë dhe nëna e saj i thoshte vazhdimisht që nëse ajo nuk do të hante ushqimin, nëna e saj nuk do ta donte më Sarën. Herë të tjera, nëna e saj thoshte që Sara duhej të ndihej me fat që kishte bukë për të ngrënë në shtëpi, duke qenë se kishte fëmijë që vdisnin nga uria. Në mënyrë të pandërgjegjshme, Sara fitoi frikën se njerëzit nuk do ta donin (veçanërisht nëna e saj), nëse nuk e hante të gjithë ushqimin në pjatë. Sara filloi të hante gjithmonë e më shumë ushqim me qëllim që të kënaqte nënën e saj dhe të ndjente dashuri nga ajo. E njëjta gjë u përsërit edhe kur u martua.

Kur nuk kishte vëmendje nga bashkëshorti, Sara kishte frikë se ai nuk e donte dhe që ajo nuk ishte mjaftueshëm e mirë. Këto ishin ngacmuesit që e nxitën Sarën që të konsumonte më shumë ushqim nga ç’duhej dhe të kishte vetëvlerësim të ulët. Ajo po hante emocionet e saj dhe jo ushqimin. Kur e kuptoi këtë gjë, filloi të qante.

Duke qenë se unë përdora teknika neuro-coaching, e lashë vetëm për disa momente që të qetësohej dhe të shkarkonte emocionet e kaluara negative. Më pas, filluam me ushtrime të tjera.

Zona e Rehatisë: Sara ha shumë ushqim, pra kjo është rituali që e fut atë në gjendje rehatie. Asnjëherë mos e harroni që frika jeton rreth zonës së rehatisë.

Zona e Tendosjes: Në këtë zonë gjenden të gjitha gjërat që Sara e di që duhet t’i bëjë por nuk ka vullnet t’i aplikojë.

  • Të numërojë kaloritë
  • Të pijë shumë ujë (të paktën 8 gota në ditë)
  • Të bëjë ushtrime 3 herë në javë / ecje të shpejtë
  • Të hajë perime të gjelbra / ushqim bio
  • Të mos konsumojë ushqime pas orës 7pm
  • Të ndryshojë mënyrën e të jetuarit / të argëtohet më shumë

Shumica e njerëzve që duan të bien në peshë, janë në dijeni të të gjithë hapave që përmenda më sipër, por kjo mbetet listë dëshirash dhe jo listë veprimi. Gjithçka që ti dëshiron është një ëndërr por vetëm kur ti vepron, ajo bëhet realitet. Në shumicën e rasteve, është frika ajo që vendos për ne dhe na shtyn drejt shtyrjes së punëve që duhet të bëjmë.

Hapi i parë është tendosja dhe dalja nga zona e rehatisë. Kur ti e arrin këtë gjë, festoje dhe uroje veten për çdo hap të vogël progresi. Një gjë e tillë ju jep më shumë vetëbesim dhe motivim për të ecur përpara.

Zona e rrezikut: Ti nuk e di nëse mund ta arrish atë që do. Shumica e njerëzve heqin dorë në zonën e rrezikut. E sabotojnë veten në mënyrë të pandërgjegjshme. Prandaj është e rëndësishme që të keni këshillim dhe mbështetje nga profesionistë të fushës.

Për Sarën, zona e rrezikut ishte të kalonte nga 3 vakte të mëdha ushqimi në të ushqyerit 5 herë në ditë në porcione të vogla. Ajo gjithashtu duhej të bënte ecje të shpejta çdo mëngjes.

Zona e vdekjes: Mendon se do të vdesësh nëse bën çfarë kërkohet (fizikisht dhe emocionalisht). E konsideron si mision të pamundur. Në rastin e Sarës, kjo nënkuptonte që ajo të kishte një dietë pa sheqer. Ajo mendoi se nuk mund t’ja dilte dot por avash avash ia doli.

Ju duhet ta bëni këtë ushtrim hap pas hapi, duke lëvizur nga zona e rehatisë në zonën e tendosjes, në zonën e rrezikut dhe në fund në zonën e vdekjes. Çdo herë që doni të kaloni nga një zonë në tjetrën, rritet frika sepse truri juaj do t’ju mbajë të sigurtë dhe t’ju mbrojë nga ndjenjat e poshtërimit apo dështimit. Frika nga dalja e rehatisë alarmon amigdalën në të njëjtën mënyrë siç ndodh në rast rreziku në aspektin fizik.

Ju duhet të jeni këmbëngulës dhe të krijoni zakone të reja në mënyrë që të dilni nga zona juaj e rehatisë. Në një artikull tjetër në të ardhmen do të flas për besimet e gabuara dhe krijimin e zakoneve të reja.

Deri atëherë, përpiquni shumë dhe dilni nga zona juaj e rehatisë.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *