Rëndësia e reflektimit (4 metoda reflektimi), nga Jim Rohn

Për Jim Rohn, reflektimi është investim për të ardhmen. Në librin e tij “Leading an Inspired Life”, Rohn shprehet: “Një nga mënyrat se sim und të krijoni ide të reja është të zhvilloni zakonin e të reflektuarit. Të reflektosh do të thotë t’u kthehesh situatave, mendimeve tuaja dhe ditës tuaj.”

Sipas tij, ka disa kohë të përshtatshme për të reflektuar. Rohn jep një guidë reflektimi për të gjithë nxënësit e tij, siç vijon:

Një nga momentet më të përshtatshme për të reflektuar është gjatë mbrëmjes, kur përfundon dita. Dedikojani vetes pak minuta për të reflektuar mbi çka ndodhi gjatë ditës suaj. Me kë u takuat? Çfarë ju thanë të tjerët? Çfarë ndodhi në vija të përgjithshme? Si u ndjetë ju gjatë ditës? Duke iu përgjigjur këtyre pyetjeve, ju e memorizoni ditën tuaj, e analizoni atë. Mos harroni se çdo ditë përfaqëson një pjesë të mozaikut të jetës tuaj. Prandaj ju duhet të jeni të aftë të grumbulloni sa më shumë eksperienca reale, njohuri, këndvështrime, zëra, panoramën në përgjithësi, ngjyrat dhe emocionet që përjetoni çdo ditë. Këto do t’ju shërbejnë për të ardhmen tuaj, kështu që mos humbisni asnjë ditë.

Pasi të praktikoni zakonin e të reflektuarit gjatë çdo mbrëmje, rezervoni pak orë në fund të çdo jave që të bëni një bilanc të javës. Kthejuni kalendarit tuaj dhe shikoni se çfarë aktivitetesh keni kryer gjatë javës. Bëjini vetes të njëjtat pyetje si ato gjatë reflektimit ditor. Ku shkuat gjatë javës? Kë takuat? Si u ndjetë? Reflektoni mbi javën tuaj, sepse është një kohë goxha e madhe që nuk duhet çuar dëm.

Një tjetër mënyrë reflektimi është të reflektoni gjatë një dite në fund të çdo muaji. Ndiqni të njëjtin proçes si në dy rastet e mësipërme. Analizoni veten tuaj; çfarë shkoi mirë e çfarë shkoi keq? Me kë u takuat? Si u ndjetë? Çfarë emocionesh përjetuat?

Së fundmi, dedikojini vetes një fundjavë të plotë për të reflektuar mbi gjithë vitin që kaloi. Le t’ju shërbejë kjo kohë që ju të memorizoni gjithçka që ndodhi gjatë vitit, ta brendësoni eksperiencën 1 vjeçare që sapo kaluat, bëjeni vitin që po kalon pjesë të ndërgjegjes tuaj.

Jeta është plot me eksperienca, por ju nuk do të mund t’i mësoni kurrë mësimet që japin këto eksperienca nëse nuk gjeni kohë për të reflektuar. Mund ta nisni reflektimin me pak minuta në ditë, është e thjeshtë.

Powered by Watch Dragon ball super