Rëndësia e Kohës; Dashuria ime me kohën

“Nuk kam kohë”…”Jam shumë i/e zënë”…”Nuk më del koha për të bërë asgjë”…

Kjo është kryefjala dhe motoja e ditëve të sotme. Por jo për mua! Unë jam e dashuruar me kohën! Dhe mos u habisni… Është një dashuri pa kushte… Dikur më është thënë që “Koha është flori” dhe se “Mënyra si shpenzon kohën është më e rëndësishme se ajo si shpenzon paratë. Gabimet që bëjmë me paratë edhe mund të korrigjohen por me kohën jo. Koha ecën dhe nuk kthehet më!”…

Tunda kokën atëherë në shenjë pohimi por në fakt nuk e kisha kuptuar… Shumë vite më vonë kur fillova të ndjek atë model, babanë tim fillova të kuptoj raportin me kohën… dhe u ndjeva e pasur. Dhe fillova ta respektoj dhe priorizoj, dhe koha filloi të më përgjigjej me të njëjtin respekt. Fillova të kuptoj që gabimet me paratë mund të korrigjohen por jo me kohën, pasi në momentin që ka kaluar, ka ikur përgjithnjë. Ky qëndrim filloi të më japë më shumë vetëbesim dhe ndjenjë bollëku. Shumë rrallë e përdor shprehjen nuk kam kohë dhe koha punon me mua dhe për mua. Kam kohë për gjithshka, për veten, familjen, biznesin, miqtë, klientët…pra me pak fjalë të jetoj në hapësirë dhe kohë.

Koha në vetvete ka një cilësi, ajo kalon pavarësisht çfarë duam apo bëjmë ne. Universi e ka ndarë këtë vlerë me të gjithë, në mënyrë të barabartë, që do të thotë çdo individ, sado i pasur apo i varfër qoftë, femër apo mashkull, i ri apo i vjetër ka në dispozicion vetëm 24 orë në ditë, asnjë sekondë më shumë apo më pak. Jeta në vetvete është kohë. Gjithshka që ne bëjmë kërkon kohën e duhur..por pjesa dërrmuese e njerëzve e marrin këtë fakt si të mirëqenë. Kur thuhet “nuk kam kohë”, më duket sikur dëgjoj “nuk kam para, pasuri”…”nuk jetoj” pasi jeta si qenie njerëzore kuptohet vetëm në kontekstin kohor. Pra, si mund të thuash nuk kam kohë të jetoj? Sa të pakujdesshëm jemi në fjalët që përdorim. Por akoma më të pavetëdijshëm për mendimet në lidhje me kohën! Dhe arsyeja pse na ndodh kjo është se përpiqemi të menaxhojmë kohën! Por si mund të menaxhojmë diçka që thjesht kalon?

“Ne nuk menaxhojmë kohën por veten tonë” do thoshte Peter Drucker nëse do të blogonte me ne tani. Dhe kjo ka shumë kuptim… Duke menaxhuar veten do të krijojmë më shumë hapësirë në ditën tonë dhe si pasojë do të kemi mundësi të performojmë më mirë dhe të jemi më efiçentë. Menaxhimi i vetes fillon me mendësinë tonë për kohën, raportin që krijojmë me të, fjalët që përdorim të cilat nuk janë asgjë tjetër veçse pasqyrim i mënyrës sonë të të menduarit…

Prandaj jam shumë e kujdesshme kur e investoj atë. Vendos prioritete, planifikoj dhe hedh hapat e duhur, vendos matës dhe bëj vlerësimin e situatës duke përshtatur vazhdimisht dhe përsëri e shikoj që koha më mjafton…Nëse kam më shumë nevojë për kohë, ngrihem herët në mëngjes dhe ndihem mrekullisht e realizuar kur përmbush aq shumë punë në orët e para të mëngjesit. Filloni të menaxhoni veten dhe vendosni se çfarë është e rëndësishme dhe prioritare në jetën tuaj dhe koha do t’ju ndjekë… (tregoni kujdes nuk thashë karrierën apo biznesin tuaj!) Shpesh herë vë re që koha “shtrihet” për të më lejuar të përfundoj atë çfarë kam vendosur…edhe pse duket sikur nuk do të mundem…koha “shtriqet” për të më lejuar mundësinë e të qënurit gjithmonë në kohë. Nëse do më pyesni të përshkruaj veten me dy fjalë, do thosha “gjithmonë në kohë”.

Dita ime është e ngarkuar por unë përsëri kam kohë për qëllimet dhe objektivat e mia, duke vendosur prioritete në jetë… Jam fatlume me këtë raport dashurie dhe respekti me kohën. E dua shumë dhe jam e vetëdijshme si e shpenzoj. I shtoj vlerë për gjithshka që bëj, qoftë edhe vetëm me mënyrën si ndihem. Koha më lumturon pasi ajo është vetë jeta. Nëse do të pyesësh dikë rreth jetës, shiko si e shpenzon kohën.

Dikush mund të thotë se kjo cilësi është e lindur apo e trashëguar… edhe mundet. Por sipas të dhënave të fundit mbi neuroplasticitetin e trurit, ne kemi mundësi të krijojmë ato cilësi që duam dhe na shërbejnë. Dikush mund të thotë që kushtet e tua Anila kanë qenë ndryshe… perseri ju kuptoj. Dikush mund të thotë që në Shqipëri nuk bëhet fjalë për menaxhim kohe se nuk jemi në Zvicër apo Austri… përsëri ju kuptoj. Dikush mund të thotë me këtë ekonomi, qeveri, krizë financiare, karriera, familja, etj, etj… përsëri ju kuptoj. Edhe unë këtu jetoj. Por kam zgjedhur të mendoj ndryshe. Natyrisht që duhet punë, dhe unë kam punuar shumë – shumë që të kem këtë raport me kohën por më thoni diçka që doni të arrini dhe që nuk kërkon punë e përkushtim!

Përpiquni ta shikoni kohën ndryshe dhe do të ndjeni ndryshimin… Trajtojeni me respekt dhe do të ndiheni të respektuar… përdoreni me efiçencë dhe do të performoni në lartësinë e duhur… jepini kohës dashuri dhe do t’ju kthehet shumë më tepër… Menaxhimi i vetes dhe i aktiviteteve që duam të realizojmë kanë nevojë për organizim efektiv dhe sisteme që na ndihmojnë. Sekreti i suksesit tuaj është në axhendën tuaj të përditshme. Dhe do të doja ta mbyll këtë ese me shprehjen time të preferuar nga Jim Rohn:

“Nëse do të punoni për objektivat tuaja, ato do të punojnë për ju. Nëse do të zbatoni planin tuaj, ai do të punojë për ju. Çfarëdo veprash të mira ne krijojmë, ato na krijojnë edhe ne.”

Pra , nëse do të punoni me kohën, ajo do të punojë për ju! Zgjedhja është juaja!


Foto nga VisualHunt

Powered by Watch Dragon ball super