5 Qershor, 2019

Praktika sjell perfeksion – Por në çfarë kuptimi?

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Gjithmonë kam qenë perfeksioniste. Gjatë gjithë kohës jam mundur shumë që të isha perfekte në të gjitha aspektet: një profesioniste perfekte, një bashkëshorte, nënë, motër, vajzë perfekte. Ka qenë shumë e vështirë dhe gjatë gjithë kohës jam përballur me ndjenjën se asnjëherë Nuk Isha Mjaftueshëm e Mirë; që asnjëherë nuk kisha arritur mjaftueshëm dhe si rezultat nuk mundja të festoja arritjet e mia. Jeni gjendur ndonjëherë në një pozicion të tillë?

Mu desh kohë që të kuptoja se perfeksionizmi nuk ekziston. Që perfeksionizmi është thjesht një formë e të thënit “nuk jam mjaftueshëm”!

Nuk po them në asnjë mënyrë që nuk duhet të ëndërrojmë për qëllime të mëdha; ne duhet të kemi qëllime ambicioze dhe duhet të përpiqemi që të arrijmë më të mirën e mundshme. Ajo që dua të them është se perfeksioni nuk ekziston. Dhe për më tepër, nuk është as i shëndetshëm. A e dini pse? Sepse gjatë gjithë kohës ti krahason veten me të tjerët dhe të tjerët. Kjo nuk duhet të ndodhë sepse secili prej nesh është i veçantë dhe secili ka ëndërra të ndryshme në jetë.

Kur ti krahason veten me të tjerët, ti humbet qëllimin e të qënit prezent në planetin tokë. Ti humbet lidhjen me vlerat e tua më të thella. Ti nuk je në të njëjtën linjë me veten dhe bie pre e konfuzionit, ndihesh e pamotivuar dhe nuk ke drejtim të qartë në jetë.

Ne duhet të përqafojmë një mënyrë tjetër nëse duam të jemi versioni më i mirë i vetes dhe kryefjala në këtë proçes është vetëdija:

  • Të qënit të vetëdijshëm se kush jemi dhe çfarë vërtet duam apo për çfarë jemi të apasionuar;
  • Vetëdije për destinacionin ku duam të shkojmë dhe çfarë aftësish dhe sjelljesh na duhet të përvetësojmë në mënyrë që të shkojmë aty ku duam;
  • Vetëdije në të qënit në linjë me vlerat tona më të thella dhe që i besojmë verbërisht;
  • Vetëdija që na bind se rritja dhe të bërit versioni më i mirë i vetes nuk ka limite por duhet vetëm intension i vetëdijshëm dhe vendimi për t’u rritur.
  • Vetëdije në lidhje me faktin se perfeksioni nuk na lejon të rritemi dhe është një iluzion apo një klishe e botës moderne…
  • Vetëdije mbi shumë elementë të tjerë për të cilat do të doja që ju vetë të mendoni apo të reflektoni…

Kur t’i mundohesh të jesh perfekte, bën një gabim të dyfishtë:

E para: qasja perfeksioniste të bën të ndihesh sikur nuk je mjaftueshëm dhe ul vetë besimin.

E dyta: ti praktikon mendime apo sjellje që i bëjnë zakonet tuaja jo të duhura të bëhen normë sjelljeje.

Dhe çfarë janë këto mendime apo mënyra të të menduarit që mendojmë se mund të na bëjnë perfekte por në drejtimin e gabuar? Çfarë zakonesh praktikoni më së shumti? Si e shpenzoni energjinë? Në çfarë aspekti keni dëshirë të jeni perfektë?

Si qënie humane, ne më së shumti përjetojmë apo praktikojmë ndjenja si:

Negativiteti; dyshimi; inati; frustrimi; zemërimi; fajësimi; zilia dhe xhelozia; dështimi; përjashtimi; mërzia; vënia e fajit; turpi; vetë abuzimi; skepticizmi; kritika ndaj vetes dhe ndenja të tjera. Merr pak kohë dhe reflekto se çfarë ndjenjash përjeton më shpesh.

Ne jemi bërë mjeshtër të perfeksionit, POR NË DREJTIMIN E GABUAR!

Foto: Pixabay

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *