5 Qershor, 2019

Një sistem për ju që tashmë keni braktisur planet e 2019

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Muaji Shkurt është momenti kur ju hiqni dorë nga realizimi i objektivave dhe planeve që krijuat në fillim të vitit.

22% e planeve që ne planifikojmë për t’i arritur gjatë vitit të ri dështojnë brenda javës së parë të Janarit, 40% – 80% e tyre dështojnë që në muajin Shkurt dhe mesatarja e përgjithshme është që vetëm 8% e njerëzve që krijojnë objektiva, i arrijnë dhe punojnë për to deri në fund të vitit.

Arsyeja kryesore: planet tonë janë jorealiste ndërsa objektivat abstrakte!

Në këtë guidë të shkurtër por efektive, do të flas për një sistem të ri, aplikimi i të cilit mund t’ju ndihmojë për t’i arritur qëllimet tuaja me lehtësi.

[ Jeni ende në kohë që t’ja filloni sërish nga fillimi dhe ju sugjeroj ta lexoni këtë guidë vetëm nëse jeni vërtet të interesuar ta përmirësoni veten dhe jetën tuaj gjatë 2019.]

 

Pse ndodh që shumica prej nesh heqim dorë nga planet? Si reagon truri ynë në këtë rast?

Si reagon truri?

Truri ynë ka krijuar zakonet dhe rutinën e vet me të cilën funksionon në formë “default” dhe kur ne mundohemi ta ndryshojmë këtë cikël duke u munduar të krijojmë zakone të reja, kjo është diçka e re dhe sforco për trurin.

Krijimi i zakoneve të reja nënkupton eliminimin e zakoneve të vjetra. Për shembull, nëse një person do të bjerë në peshë dhe për këtë vendos që të mos konsumojë vaktin e darkës, truri e ka shumë të vështirë ta thyejë këtë zakon dhe personi zakonisht përfundon duke konsumuar vaktet e darkës – vakti i darkës u zgjodh nga personi si rutinë që duhet eliminuar sepse ky është shkaku i shtimit në peshë (ky është thjesht një shembull teknik dhe nuk e rekomandoj  në asnjë mënyrë që të mos konsumoni vaktin e darkës nëse keni qëllim që të dobësoheni).

Krijimi i zakonit të mosngrënies së vaktit të darkës është gjithashtu i vështirë sepse është një rutinë e pakëndshme dhe që nuk na jep kënaqësi. Krijimi i një zakoni ndodh kur ne e shijojmë dhe besojmë që ajo çfarë po bëjmë do të na shërbejë në mënyrë pozitive (duhet që vërtet ta besojmë këtë gjë dhe jo ta hipnotizojmë veten duke thënë që e besojmë).

 

Ne kemi dëshira, plane dhe objektiva abstrakte

Përveç vështirësisë së krijimit të zakoneve të reja, ne hasim një vështirësi tjetër. Ne krijojmë rezolucione, plane dhe objektiva që janë shumë të përgjithshme, abstrakte dhe në shumicën e rasteve nuk bëjmë plane specifike me kalendar dhe hapat e duhur për të arritur këto objektiva.

Për shembull, ne shkruajmë në bllokun tonë:

“dua të dobësohem”, “dua të mësoj një gjuhë të huaj”, “dua të gjej një punë të re”, “dua të bëj 10.000 euro këtë vit”

Këto nuk janë objektiva dhe as plane. Këto janë dëshira për të cilat ne shpesh nuk dijmë nga t’ja fillojmë që t’i kthejmë në realitet.

 

Le të kthejmë një dëshirë në objektiv të qartë dhe plan konkret
Dëshirë: “dua të dobësohem”

Objektivi: Dua të bie në peshë 5kg në 2-4 muajt e ardhshëm

Plani: Që të bie në peshë 5kg në periudhë 2-4 muaj, unë duhet ta diskutoj këtë plan me një ekspert shëndeti (mbipeshe) si dhe instruktor palestre. Duhet të përcaktoj hapat që duhet të ndjek për të arritur qëllimin tim, të cilat janë:

  • të përgatis një listë ushqimesh të cilat nuk do të më shtojnë kile të tepërta dhe do të më ndihmojnë të bie në peshë
  • të përcaktoj një kalendar për frekuentimin e palestrës gjatë periudhës që kam vënë si afat (në fillim mund ta filloj me 1-2 seanca në javë dhe më pas mund të shtoj seancat)
  • të përcaktoj se çfarë ushtrimesh të tjera apo rutina ditore duhet të bëj që të bie në peshë (të bëj ecje 15 – 30 minuta çdo ditë, etj.)

Ky plan nuk mund të realizohet asnjëherë nëse ju nuk gjeni dot motivimin e duhur apo nuk jeni në gjendje të tregoni vazhdimësi, konsistencë edhe nëse nuk shikoni rezultate në 2 muajt e parë kur të filloni aplikimin e planit.

Duhet të krijoni një plan që ta ndiqni me disiplinë dhe bindjen, besimin që përpjekjet tuaja vërtet do të kthehen në rezultate.

 

Si të zgjidhni objektiva që do t’jua përmirësojnë jetën ndjeshëm?

Fokusohu në problemet që duhen zgjidhur tani

Në fillim të vitit ne mendojmë se kemi kohë të arrijmë çfarë duam, duke harruar se kemi shumë aspekte që kanë nevojë të përmirësohen përpara se të synojmë objektiva të reja. Mos krijoni qëllime të reja për të cilat duhet të punosh dhe të investosh shumë. Nëse je në një punë që nuk të pëlqen, fokusohu që të rritesh në detyrë duke marrë trajnime jashtë pune, në vend që të kërkosh një punë të re jashtë kompanisë.
Vendos objektiva shpirtërorë por të arritshëm

Ne gjithmonë kërkojmë të arrijmë gjëra materiale, por asnjëherë objektiva shpirtërore, si për shembull: paqe shpirtërore, njohje të vetes, dashuri për veten, qartësi se ku dëshiron të shkosh, reflektim për gjithçka që po bën. Këto janë objektiva që ne mendojmë se do i arrijmë pasi të arrijmë objektiva materialë por në fakt këto mund të arrihen edhe kur jeta jonë nuk është versioni perfekt që duam. Kultivimi i dashurisë për veten nuk ka nevojë për arritjen e objektivave materiale.
Merru vetëm me 1 objektiv, jo disa

Nëse objektivi kryesor është rënia në peshë, atëherë nise zbatimin e planit me frekuentimin e palestrës për të paktën 2 muaj – kur ti të kesh frekuentuar palestrën me konsistencë për dhe kjo do të jetë kthyer tashmë në një rutinë që ti e bën me kënaqësi, do të ndihesh shumë më i/e motivuar që të fillosh të punosh me një objektiv tjetër.

Sekreti i vetëm është konsistenca – edhe kur nuk sheh rezultate të prekshme.

E dini historinë e pemës së bambusë? Mund ta lexoni këtu.
Përshtati planet dhe mënyrën e të arriturit të objektivave sipas dëshirës dhe vullnetit tënd

Për shembull, nëse ke dëshirë të dobësohesh dhe për këtë duhet të ndjekësh një program apo të shkosh në palestër por kjo do të të kërkojë që të bësh shumë ushtrime me të cilat ti mbase nuk do të ndihesh rehat dhe do të të bezdisin, atëherë bëj vetëm cardio ose biçikletë ose ecje të thjeshtë. Mjafton të përcaktosh vetëm 1 lloj ushtrimi apo mënyrë për të filluar nga puna dhe të kryesh rutinën avash avash, por në mënyrë konsistente.

 

Ndihu rehat ndërsa arrin qëllimet e tua

Është shumë e rëndësishme të zgjedhësh palestrën dhe instruktorin që të përcjell energjinë dhe përkushtimin që ti do, që “flet gjuhën tënde”. Duhet të jesh në ambiente që të përshtaten dhe ku ti ndihesh shumë mirë me veten dhe i/e motivuar.

Bëj një kërkim për palestrat që gjenden afër shtëpisë apo punës tënde, palestrën që i përshtatet buxhetit tënd dhe orareve që ti ke në dispozicion.

Merri të gjitha aspektet parasysh dhe zgjidh alternativën që të përshtatet ty më së shumti.

 

Vetë-motivim: Pse dua ta bëj këtë gjë?

Merr një bllok dhe shkruaj pyetjen: pse dua ta bëj këtë gjë?

Shkruaj të gjitha arsyet apo përgjigjet që të vijnë ndër mend. (tregohu shumë i//e sinqertë me veten)

Për shembull: Dua të dobësohem dhe do ta ndjek këtë plan:

  • sepse po të dobësohem, do të ndihem më e bukur
  • sepse kam shumë dëshirë të kem një trup elegant dhe të vesh rrobat që dua
  • sepse dua të ndihem seksi dhe të tjerët të më konsiderojnë të tillë
  • sepse kjo është ajo që dua më së shumti dhe dua ta arrij patjetër

Është shumë e rëndësishme të zbuloni arsyet që ju shtyjnë të arrini objektiva të caktuara. Kjo teknikë do t’ju ndihmojë të njihni veten më mirë.

 

Shoqëroje objektivin kryesor me një rutinë tënden të përditshme

Për shembull, larja e dhëmbëve në mëngjes është një rutinë e përditshme për të gjithë ne. Nëse e lidhim këtë rutinë (që e bëjmë në mënyrë automatike) me një rutinë të re (për shembull, pastrimi i fytyrës menjëherë pasi lani dhëmbët), truri ynë do të fillojë të bëjë të dy veprimet njëra pas tjetrës në mënyrë automatike. Truri e dashuron automatizimin e sjelljeve dhe rutinën. Kjo bën që truri të harxhojë më pak energji dhe veprimtari për të menduar dhe marrë vendime.

Në rastin e shembullit të rënies në peshë, ju mund të frekuentoni palestrën përpara ose pasi të bëni një rutinë që e bëni çdo javë. Shoqërojeni rutinën e palestrës me një zakon tjetër që keni dhe kjo do ta bëjë më të lehtë ruajtjen e konsistencës.

 

Shpërble veten sa herë kryen një veprim të ri

Truri gëzohet dhe kënaqet kur ne marrim shpërblime, vlerësime për gjërat që bëjmë. Por ne gjithmonë kërkojmë dhe presim që të marrim komplimenta, vlerësime dhe shpërblime nga të tjerët dhe asnjëherë nga vetja.

Lajmi i mirë është që truri ynë nuk arrin ta dallojë se kush po na jep komplimente – vetë ne apo të tjerët! Truri merr pothuajse të njëjtat impulse dhe shfaq reagime të njëjta (rritje të kënaqësisë, lumturisë, ndjenja pozitive).

Bëjeni rutinë që sa herë të mbaroni seancën e palestrës të blini një ushqim që ju pëlqen apo të kaloni pak kohë me persona që ju bëjnë të ndiheni mirë, ju motivojnë dhe ju inkurajojnë të vazhdoni me planet tuaja (prind, shok / shoqe, partner, etj.)

 

Dhe së fundmi, mos harroni se:

Motivimi vjen nga rëndësia që ka një objektiv për ne

Njerëzit që nuk respektojnë kohën dhe planet e tyre, nuk dijnë të respektojnë veten

Ti mund t’ja dalësh këtë herë, le të jetë ky viti yt.

Foto nga Freepik

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *