5 Qershor, 2019

Menaxhoni veten duke aplikuar Teorinë Kaizen

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Teoria Kaizen është një praktikë shumë e thjeshtë por ka një kleçkë: kërkon konsistencë, duhet aplikuar çdo ditë.

Kjo teori konsiston në bërjen e detyrave duke filluar në sasi të vogla. Për shembull: Ju keni për të shkruar një projekt dhe për këtë projekt ju është dhënë një afat 2 javor për ta përfunduar. Nëse vendosni të aplikoni teorinë Kaizen, ju duhet të filloni të punoni për projektin çdo ditë, në fragmente të caktuara kohe.

Ditën e parë mund të punoni vetëm 15 minuta për projektin, ditën e dytë mund të punoni 20 minuta, e kështu me rradhë. Çelësi i suksesit të kësaj praktike qëndron në vazhdimësinë që nuk duhet të ndërpritet për asnjë arsye.

Lexo: Çfarë është Teoria Kaizen?

Çfarë ndodh vërtet nëse ju e aplikoni këtë teori për të paktën një ose dy javë?

  • Ju do të fitoni aftësi si durimi, konsistenca

Sa e mrekullueshme është kjo! Të kesh durim të punosh mbi projekte që mbase edhe nuk i pëlqeni, është një aset shumë i çmuar për karrierën tuaj dhe jetën tuaj personale. Të tregohesh konsistent është akoma më e rëndësishme për ju. Kjo do të thotë që ju nuk mund të hiqni dorë në mes të projektit, apo planit tuaj për arritur diçka. Këto aftësi do t’ju shërbejnë shumë për të gjitha aspektet e jetës suaj.

  • Ju do të keni përfunduar gjysmën ose të gjithë projektin përpara afatit

Në rastin e shembullit të marrë për të ilustruar teorinë Kaizen, të jeni të sigurtë që nëse e aplikoni këtë teori, ju do ta përfundoni projektin shumë më herët se afati përfundimtar. Kjo ndodh për një arsye shumë të thjeshtë. Nëse ju do të keni vullnetin për të punuar për të paktën 15 minuta për projektin çdo ditë, kjo kohë do të shumëfishohet çdo ditë.

Kur jemi në mes të proçesit të punës, kreativiteti dhe ide të reja lindin pa e kuptuar dhe ne ‘zhytemi’ në punë, dhe pa e kuptuar shohim se koha ka kaluar dhe ne kemi bërë  goxha përparim.

Në fillim, duket sikur asgjë nuk po ndryshon dhe që nuk po bëjmë progres por kjo nuk është aspak e vërtetë. Mjafton të tregoni përkushtim në ndjekjen e programit që keni krijuar për veten dhe kur të shikoni mbrapa, do të surprizoheni nga progresi i bërë.

Shumica e njerëzve duan të përmirësohen në një aspekt të caktuar për një kohë shumë të shkurtër dhe e vuajnë këtë gjë sepse shumica prej tyre dështojnë që në fillim… sepse ata nuk e kanë kuptuar thelbin… që nuk është e mundur të përmirësohesh në një ditë! Përmirësimi apo rritja kërkon kohën e vet dhe teoria e Konceptit të 1% na ndihmon të fitojmë zakone të mira ditore që do të na përmirësojnë neve vazhdimisht.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *