5 Qershor, 2019

Kur Rrota e Frikës aktivizohet

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Që ta kuptoni më mirë këtë artikull, ju sugjerojmë të lexoni artikullin “Çfarë është dhe si krijohet Rrota e Frikës”

Aktivizimi i Rrotës së Frikës

Le të supozojmë se jeni ftuar në një aktivitet rrjetëzimi ku do të marrin pjesë individë të rëndësishëm dhe të njohur. Kjo mund të jetë një mundësi e shkëlqyer për ju dhe biznesin tuaj.

Ti vendos që do të marrësh pjesë dhe ke ide fantastike për lidhje të reja me njerëzit e pranishëm. Në momentin që ti gjendesh aty, ti fillon të ndjesh emocione të ndryshme. Ti fillon të ndihesh jo rehat fizikisht dhe trupi fillon të përjetojë frikëra të refuzimit të mundshëm, frika se mos nuk je mjaftueshëm i mirë, frika se mos je i pavlerë, frika se mos je më i parëndësishëm se të tjerët, e të tjera. Në shumicën e kohës, ne nuk jemi të vetëdijshëm që po i ndjejmë këto frikëra por thjesht ndjejmë parehati fizike dhe shqetësim emocional.

Le të ndalojmë për një moment dhe të marrim frymë thellë disa herë. Kujtoni momentet kur jeni ndjerë kështu. Cili ishte mendimi i parë që ju erdhi në mendje menjëherë? Të largoheni direkt nga ai vend? – Pse ndodh kjo? Sepse tek ju sapo është aktivizuar Rrota e Frikës, e cila përbëhet nga elementët e mëposhtëm:

  • Ngacmues

Në fillim kur ju bëheni pjesë e aktivitetit, ju filloni të ndjeni parehati. E pandërgjegjshmja juaj po pyet “Çfarë duhet të bëj?” “Kë duhet të takoj?” “A do të më flasin njerëzit?” “A jam në nivelin e tyre?” “Kush jam unë që të flas me njerëz të rëndësishëm?” e kështu me rradhë.

Është informacioni që proçesohet në trurin tonë ai që shkakton emocione. Në momentin që ju mendoni të komunikoni me të pranishmit (ngacmuesi), ju filloni të ndjeni frikën e refuzimit (pavarësisht se mbase nuk dini ta emërtoni këtë frikë).

  • Përgjigjia e frikës

Në këtë moment fillon të aktivizohet frika tek ju dhe aktivizohet qendra e mbrojtjes në tru që ju shtyn të ndërmerrni një veprim mbrojtës që të shmangni lëndimin tuaj – në këtë rast, që të shmangni refuzimin nga dikush. Frika që ndjejmë mundohet të na mbrojë neve. Ju ndiheni të paralizuar pa patur një ide të qartë se çfarë duhet të bëni. Ju mendoni se gjëja më e mirë që mund të kishit bërë është që të mos kishit ardhur në aktivitet.

Zemra juaj rrah shpesh; stomaku dhe fyti juaj ndihen të bllokuar nga një lëmsh dhe duart tuaja djersijnë në të njëjtën mënyrë sikur të ishit duke u përballur me një kërcënim fizik. Amigdala, qendra që sinjalizon trurin për rreziqet që na kanosen, është përgjegjëse për këtë reagim (kjo qendër ndryshe quhej truri primitiv).

Ju jeni vetëm diku në sallë, duke menduar se të gjithë po ju shohin, po ju gjykojnë dhe po tallen me ju. Ju ndiheni të ngecur, nuk po lëvizni dhe po mendoni se si të tjerët janë më të aftë se ju dhe e kanë më të lehtë të flasin me persona të tjerë.

  • Ndjenja negative

Në vend që të shkoni drejt individëve që doni të takoni, ju lëvizni në drejtimin e kundërt duke i thënë vetes të gjitha justifikimet e mundshme që duhet të largoheni. Për shembull, ju mendoni se është më mirë të largoheni sepse të tjerët mund të ndihen të bezdisur nga prania juaj, që nuk jeni mjaftueshëm të mirë që të jeni pjesë e atij grupi shoqëror, që nuk jeni veshur në mënyrë të përshtatshme, që bisedat tuaja mund të mos jenë fare interesante, e të tjera.

Ti fillon të ndjesh emocione negative dhe përjetoni frikë pothuajse sikur të gjendeshit përballë një ariu në pyll. Rrota juaj e Frikës është aktivizuar dhe po ushqehet nga mendimet dhe besimet tuaja të gabuara.

  • Sjellje Vetë-shkatërruese

Ti dëshiron të zhdukesh menjëherë nga aktiviteti, duke u munduar të shkosh diku në cep të dhomës dhe të mos kontaktosh askënd nga kontaktet prej të cilave mund të përfitosh. Ti e bën këtë me shpresën se herën tjetër do të jesh më aktiv, pa e ditur që po e bën Rrotën e Frikës të rrotullohet më shpejt. Ti preferon të pish diçka që të largosh mendjen nga shqetësimi që po ndjen me qëllim që të shmangësh kontaktin me njerëz që “mund të të refuzojnë”.

Sjellja jote fillon të bëhet vetëshkatërruese dhe mund të marrë forma të ndryshme si konsumimi i alkolit, duhanit, ngrënia e tepërt e ushqimeve, izolimi, e të tjera. Ne të rriturit e quajmë këtë sjellje si PERSONALITET por në fakt nuk mendojmë se nga vjen kjo sjellje. Rrënjët e saj janë frika.

Sa prej nesh kemi qenë të paktën një herë të vetme në situata të ndryshme? Qetësohu pak dhe kujto momente të tilla kur nuk je ndjerë rehat… Mbase jo në një aktivitet rrjetëzimi me njerëz të rëndësishëm por kur je takuar me dikë që të pëlqen, apo gjatë një fjalimi në publik, kur jeni ndjerë në turp në një party, një darkë me miqtë kur ju kanë ngacmuar apo tallur me shaka, e raste të tjera.

Edhe unë i kam përjetuar ndjenja të tilla për shumë vite dhe pavarësisht karrierës, statusit apo paraqitjes time, unë vazhdimisht jam ndjerë në siklet deri në momentin kur kuptova se cilat ishin frikërat e mia dhe si të përballesha me to.

Rrota e Frikës ndizet dhe ngacmohet nga përjetimi që kemi për një fjalë që na thuhet, një vështrim me bisht të syrit, një tingull që dëgjojmë apo shenja të tjera që na bëjnë të largohemi dhe të shmangemi një person, vend apo situatë të caktuar.

Kur Rrota e Frikës drejton jetët tona, ne u përgjigjemi ngacmuesve në mënyrë automatike dhe të pandërgjegjshme me ndjenja negative si frika dhe rrjedhimisht përfundojmë në sjellje vetëshkatërruese. I gjithë ky proçes ndodh në status autopilot dhe nuk jemi të vetëdijshëm që të shohim pasojat e sjelljes tonë.

Kur unë po përballesha dhe po eksploroja frikërat e mia, arrita në konkluzionin se “Frika është vetë shkaku dhe pasoja e mendimeve, ndjenjave dhe veprimeve që na pengojnë neve të pranojmë veten tonë dhe të shfaqim potencialin tonë të plotë.”

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *