Koha për reflektim

Pse vallë mijëra vjet më parë u vendos që jeta në planetin tokë të përshkojë kalendare 1 vjeçare?

Pse vallë 1 vit dhe më pas fillon kalendari përsëri nga e para? Për t’u përsëritur vit pas viti? Dikush mund të mendojë që jam futur në të thella dhe shumë filozofi por a nuk është vallë vetë jeta një filozofi?

Bëra një hyrje të tillë me një qëllim të caktuar. Ndoshta edhe e keni kuptuar. Nëse jo, atëherë po përpiqem të shprehem më qartë: Është koha për reflektim! Momenti për të ndaluar dhe reflektuar në 360 gradë. Reflektim në tre aspekte kryesore:  

  • Shëndeti
  • Marrëdhëniet dhe
  • Financat

Janë këto tre kategoti ku gjejnë vendin të gjithë aspektet e tjera të jetës që lidhen me to. Peter Drucker thotë: “Pas çdo veprimi, ndalo dhe reflekto. Është reflektimi baza e veprimeve më të efekshme”.

Reflektime mbi shëndetin (sa të shëndetshem ndihemi, pesha, fitness, kontrolli periodik shëndetësor, etj). Si ka qenë viti 2017 për ju në lidhje me shëndetin? Si ndiheni? Nëse nuk ndiheni aty ku dëshironi të jeni, atëherë duhet bërë diçka për ta ndryshuar. Nëse i shtyjmë gjërat vazhdimisht pasi jemi “të zënë”, atëherë është momenti për të bërë diçka që nuk e keni bërë më parë. Të reflektoni! Sa i rëndësishëm është shëndeti për ju dhe a mund të bëni gjë pa të? Ajo që ndodh zakonisht është që shumica e njerëzve kujtohen për shëndetin vetëm kur sëmuren apo dëgjojnë raste fatkeqësish. Në të kundërt, e marrin shëndetin për të mirëqenë.

Sa jeni kujdesur për tempullin (trupin) tuaj?  Kur i referohem shëndetit nënkuptoj kujdesin në ushqim, fitnes (qoftë edhe thjesht ecje), gjumë, hidratim dhe suplemente. Sa herë jeni ndjerë keq me mënyrën se si ushqeheni apo flini dhe i keni thënë vetes tuaj: nesër! Në fakt nesër nuk ekziston nëse do të ndryshosh. Ndryshimi fillon sot, tani në këte moment me vendimet që merr. Dhe nëse nuk reflektojmë, nuk jemi në gjendje të vlerësojmë vendimet që kemi marrë, nëse na kanë shërbyer ose jo. Është momenti për reflektim dhe një fillim të ri. Fatmirësisht çdo fund viti na krijon mundësinë e reflektimit dhe mundësinë e një fillimi të ri në vitin e ardhshëm. Asnjëherë nuk është vonë!

Nëse doni të jeni dikush që nuk keni qenë më parë duhet të bëni diçka që nuk e keni bërë asnjëherë. REFLEKTONI!

Reflektime mbi marrëdhëniet familjare, shoqërore apo të punës. Çfarë do të donit të arrinit në vitin 2018 dhe ku jeni tani? Çfarë duhet të ndryshoni? Ndaloni një moment dhe merrni një letër dhe laps dhe filloni të shkruani. Si do të donit të ishte jeta juaj familjare dhe çfarë duhet të bëni për ta përmirësuar atë? Me miqtë? Me punën? Ku jeni dhe ku doni të arrini? Çfarë duhet të bëni që hendeku të zvogëlohet deri në ridimensionim. REFLEKTONI!

Reflektime mbi financat, karrierën dhe biznesin. Përsëri një vlerësim i situatës do ju ndihmonte shumë; ku jeni dhe ku doni të mbërrini. Diçka që nuk mund të matet nuk mund të përmirësohet. Çfarë duhet të bëni që të përmirësoheni.

Pyetjet cilësore shoqërohen me përgjigje cilësore, veçanërisht vetes tuaj që është edhe sfida më e madhe. Ajo çka ne bëjmë në të shumtën e rasteve është ndjenja e paaftësise për t’i ndryshuar gjërat si dhe keqardhja për ku jemi. Në fakt duhet të riformulojmë pyetjet nga “Pse mua?” në “Çfarë duhet të bëj?”, “Çfarë aftësish të reja më duhen?”, “Çfarë dua realisht të bëj?”, “Çfarë burimesh mund të shfrytëzoj?”, etj, etj.

Reflektimi e transformon eksperiencën në dije, na pasuron mënyrën e të menduarit duke e ridimensionuar trurin drejt veprimeve që na shërbejnë dhe sjellin ndryshimin e dëshiruar. Janari është muaji i duhur për të reflektuar mbi vitin kaloi dhe përcaktuar objektivat se çfarë duam të arrijmë për këtë vit. Mos e neglizhoni! Ia vlen!

Powered by Watch Dragon ball super