Guidë e shkurtër: Si të marrim përgjegjësi për veten dhe jetën tonë

 

“Marrja e përgjegjësive është çmimi që duhet të paguajmë për të arritur rezultate madhështore” Winston Churchill  

Marrja e përgjegjësive është karakteristikë e fitimtarëve, e individëve të suksesshëm. Askush nuk është bërë i suksesshëm falë punës së të tjerëve por VETËM falë punës individuale.

Të marrësh përgjegjësi është e vështirë po aq sa E MUNDUR. Në fakt, është shumë e thjeshtë: Filloni që tani të “fajësoni veten” për çdo gjë që nuk ju pëlqen apo do të donit të ishte ndryshe në jetën tuaj. Provoni ta bëni këtë gjë duke shkruar një situatë që nuk ju pëlqen dhe më poshtë shkruani të gjitha mundësitë që keni apo kishit ju për ta ndryshuar situatën. Do të habiteni me fuqinë që keni për të vepruar dhe krijuar jetën tuaj.

Marrja e përgjegjësive është një hap shumë i madh dhe nuk është e lehtë ta praktikosh gjatë gjithë kohës në jetën reale sepse nganjëherë barra bëhet shumë e rëndë për t’u mbajtur, por më besoni kur ju them që sa më shumë përgjegjësi të merrni, aq më e thjeshtë do të bëhet jeta juaj dhe aq më të fuqishëm do të ndiheni për ta ndryshuar atë.

 

Por pse e kemi të vështirë të merrni përgjegjësi?

Sepse shumica prej nesh kemi mentalitetin e viktimës – gjithçka po ndodh kundër meje (jashtë meje)

Asnjëherë nuk i kthejmë sytë brenda vetes, të kuptojmë se me çfarë lloj mendimesh po e ushqejmë veten dhe sesi po marrim vendime (të cilat krijojnë rrjedhën e ditës apo jetës tonë, në shumicën e rasteve).

Një person që funksionon me mentalitetin e viktimës ankohet për ekonominë, qeverinë, shoqërinë, etj., ndërsa një person që di të marrë përgjegjësi është duke punuar për arritjen e qëllimeve të veta ndërsa ju lexoni këtë artikull (mund të jeni edhe ju duke punuar për arritjen e qëllimeve tuaja dhe ju përgëzoj shumë nëse po).

Sepse presim që të tjerët të na ndihmojnë apo lehtësojnë jetën: familja (prindërit), partneri/a, kompania ku punojmë, qeveria, etj.

Ne jemi mësuar të vegjël që prindërit merrnin përgjegjësi për ne dhe na i zgjidhnin të gjitha situatat dhe është normale të ndihemi apo të kërkojmë mbështetje nga njerëzit tanë të dashur. Por kur ti fillon të marrësh përgjegjësi dhe të zgjidhësh vetë problemet dhe situatat në jetën tënde, ti sapo ke filluar të reduktosh “borxhin moral” nga të tjerëve.

Jini përgjegjës për veten dhe jetën tuaj. Ju nuk mund të ndryshoni rrethanat, stinët, kahun nga fryn era, por ju mund të ndryshoni veten tuaj. – Jim Rohn  

 

Si mund të fillojmë të marrim përgjegjësi TANI:

  • Mendimet / Ndjenjat / Emocionet – Merr përgjegjësi për këto elementë që krijohen, ndodhin dhe gjenden vetëm brenda vetes tënde. Ti je krijuesi i këtyre elementëve dhe ti je personi i vetëm përgjegjës për çfarë dhe si mendon, si u përgjigjesh situatave dhe ngjarjeve, sa i/e aftë je të menaxhosh emocionet e tua, etj.
  • Pusho së ankuari & mos fajëso të tjerët – Ju nuk e keni idenë se sa e thjeshtë është ta bëni këtë gjë… Sa herë që ta kapni veten “mat” duke u ankuar për diçka, mendoni diçka të thjeshtë: “A kishit fuqinë që ajo gjë të bëhej më mirë apo ashtu siç donit ju? Nëse po, pse nuk punuat që gjërat të shkonin siç donit ju?” Mos prisni që të tjerët të zgjidhin problemet në jetën tuaj apo të tregohen gjithmonë ndihmues me ju… Në fakt, mos u bazoni fare në këtë lloj mendimi. Gjithmonë, në çdo situatë, mendoni se çfarë kontributi mund të jepni ju që gjërat të shkojnë ashtu siç doni ju. Përndryshe, pranoni rezultatet që do t’ju vijnë nga puna e të tjerëve.
  • Mos nxirr justifikime – Por pyet: “Çfarë mund të kisha bërë ndryshe që gjërat të shkonin ashtu siç doja unë?” Justifikimet janë të pavlefshme dhe vetëm do t’ju kthejnë në një person që në fakt po u shmanget përgjegjësive. Ju nuk e keni idenë se sa të paaftë dukeni në sytë e të tjerëve kur u shmangeni përgjegjësive dhe ua vini fajin të tjerëve apo situatave jashtë jush.
  • Filloje ditën me qëllime – E dini se kur filloni të merrni përgjegjësi? Kur keni disa qëllime për të arritur… disa qëllime personale që në një farë mënyre “jua zgjojnë egon” dhe ju motivojnë që të bëni të pamundurën që të arrini qëllimet tuaja. Niseni ditën me qëllime për të arritur, krijoni plane për veten dhe jetën tuaj dhe filloni MENJËHERË të merrni përgjegjësi për zbatimin e tyre. Do ta shikoni që do të jeni të aftë të merrni shumë përgjegjësi nëse po kërkoni të realizoni dëshirat tuaja apo interesat tuaja personale.

Mos harroni se “99% e dështimeve vijnë nga njerëz që e kanë zakon të nxjerrin justifikime” – George Washington Carver

 

Foto nga Pixabay

Powered by Watch Dragon ball super