5 Qershor, 2019

Frymëzim apo dëshpërim?

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Ndryshimi për ne është gjithmonë shumë i vështirë. Dhe duhet të ballafaqohemi me dy lloj situatash që të ndryshojmë:

Kur dikush na frymëzon, fillojmë kërkojmë atë pse-në e ndryshimit brenda vetes dhe priremi për të menduar dhe vepruar në një mënyrë të tillë që patjetër do të sjellë ndryshim tek vetja jonë. Por këto fatkeqësisht janë rastet në minorancë pasi shumica e njerëzve ndryshojnë kur janë të dëshpëruar, dhe janë në një pikë që nuk kanë çfarë të humbasin më, dhe vendosin të ndryshojnë.

Çfarë na mban peng për t’i paraprirë ndryshimit?

Unë do të përdorja një fjalë, të cilën në pjesën më të madhe e keqkuptojmë. Injoranca! Padija apo mungesa e informacionit në një fushë të caktuar, dhe në rastin konkret në atë të zhvillimit personal. Shumica e njerëzve, profesionistëve bazohen në nevojat për aftësi profesionale duke nënvlerësuar nevojën për të ndryshuar veten tonë, atë që përbën bazën e vlerave mbi të cilat funksionojmë.

Kjo që po them nuk është shpikja ime! Nuk e kam zbuluar unë! Është thënë e stërthënë me dhjetëra e mijëra herë dhe përsëri bie në vesh të shurdhët. Pse? Sepse truri ynë nuk është programuar për të filluar punën nga vetja, pasi ai funksionon mbi bazën e 5 shqisave, që lidhen totalisht me gjithshka jashtë nesh, me ambientin që na rrethon, njerëzit, ngjarjet, situatat etj, etj.

Me fjalë të tjera, në nivel intelektual nuk do të kuptojmë asnjëherë që kemi nevojë për zhvillim personal. Por si mund ta kuptojmë këtë? Shpresoj të jeni ndër ato persona që nuk keni nevojë të bini në dëshpërim që të kuptoni nevojën e rritjes suaj. Në fakt edhe mënyra robotike që shumica prej nesh jetojmë është një formë dëshpërimi, vetëm që ne nuk e dëgjojmë pasi zëri i Egos në kokën tonë është aq i lartë sa nuk na lejon të dëgjojmë përshpërimat e zemrës dhe intuitës sonë. Zhvillimi do të ishte shumë më i lehtë dhe efektiv nëse do të identifikonim fillimisht nevojën për zhvillim personal, sesa të binim në dëshpërim dhe të na duhej shumë më tepër kohë për të dalë prej tij, dhe më pas “të ndërtojmë”.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *