Elementi më i rëndësishëm i një plani për rritje personale

Elementi më i rëndësishëm i implementimit të suksesshëm të një plani për jetën është APLIKIMI I TIJ ME DISIPLINË. Të gjithë jemi të aftë të shkruajmë një plan por e neglizhojmë këtë element.

Ju duhet të rrisni vetëdijen tuaj në lidhje me rëndësinë që ka aplikimi i planit dhe njohurive, nëse doni të shikoni rezultatet që prisni dhe shpresoni.

Mos shpresoni se jeta do të ndryshojë vetë me kalimin e kohës. Siç thotë John Maxwell, “Të shpresosh nuk është strategji”… por një plan për jetën dhe aplikimi i tij janë strategji që do të sjellin ndryshimet që doni tek vetja dhe jeta juaj.

Ju duhet të rrisni motivimin për të siguruar aplikimin e këtij plani. Duhet të keni në mendje vizionin tuaj të madh dhe final që doni të arrini. Çdo progres sado minimal, çdo hap i vogël do tju ndihmojë të arrini aty ku doni edhe pse në fillim duket sikur nuk keni asnjë përmirësim. E rëndësishme është që të filloni të aplikoni planin tuaj pasi e keni shkruar.

E keni parasysh rastin kur ju lexoni një libër mbi zhvillimin personal apo sesi të fitoni x zakon, si të përmirësoheni në x fushë, etj., dhe jeta juaj nuk ndryshon aspak?

Kjo ndodh sepse ju nuk krijuat një plan për ta aplikuar atë që lexuat në libër.

Nëse ju arrini të krijoni një disiplinë të caktuar për aplikimin e planit tuaj (për shembull, vrapim çdo mëngjes apo ushtrime fizike 3 herë në javë deri sa të arrini peshën e dëshiruar), kjo disiplinë do të kthehet vetëvetiu në një zakon prej të cilit nuk do të dëshironi të hiqni dorë dhe do të bëhet natyra juaj e dytë.

“Zinxhirët e një zakoni të ri janë shumë të lehtë për t’u ndjerë derisa vjen një moment që ato bëhen shumë të fortë për t’u thyer.” Warren Buffett

Një metodë disipline që vërtet do t’ju vijë në ndihmë për aplikimin e planit tuaj është Teoria Kaizen, teoria e 1%.

Koncepti i 1% nënkupton që nëse ne kontribuojmë vetëm me 1% në proçesin e të përmirësuarit të vetes gjatë ditës, ne do të kontribuojmë me 365% në zhvillimin tonë personal gjatë një viti.

Ju do ta keni më të lehtë aplikimin e planit tuaj nëse ju filloni me aplikimin e planit tuaj vetëm me 1% si fillim dhe më pas ta rrisni nivelin e përkushtimit në mënyrë të disiplinuar.

APLIKOJENI planin tuaj pa dhënë asnjë justifikim, pa thënë “do ta bëj më vonë”… njerëzit e suksesshëm njihen për disiplinën e tyre të fortë sepse është ky elementi që i bëri ata të suksesshëm: aplikimi i planeve për të arritur qëllimet e tyre dhe aty ku duan.

Powered by Watch Dragon ball super