Efekti “nocebo” – Si i përgjigjet trupi mendimeve tona negative

 

Nocebo njihet në mjekësi si fenomeni ku substanca të padëmshme mund t’i shkaktojnë pacientit efekte të dëmshme fizikisht (e kundërta e efektit placebo), dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me besimin dhe perceptimin negativ që ka pacienti ndaj substancës.

Ky efekt është studiuar së fundmi nga Penny Sarchet, shkrimtare në fushën e shkencës, e cila vërejti se në marrëdhënien doktor – pacient, është tejet e rëndësishme se çfarë beson pacienti në lidhje me këtë marrëdhënie.

Ajo çfarë mjeku thotë dhe çfarë pacienti beson janë shumë të rëndësishme në performancën e pacientit, krahasuar me çfarë bën mjeku në aspektin teknik (dhënia e medikamenteve apo trajtime të ndryshme fizike). A nuk është kjo gati e pabesueshme?!!!

Nëse mjeku paralajmëron pacientin se një medikament do të shkaktojë efekte negative anësore tek pacienti, kjo rrit mundësinë që pacienti të përjetojë dhimbje duke ndikuar direkt në gjendjen mendore dhe krijimin e besimeve të gabuara tek pacienti.

Armiku i fshehtë i çdo sëmundjeje (më shumë se vetë sëmundja dhe simptomat e saj) është frika ose një pesimizëm i thellë që kjo sëmundje do të avancojë dhe do të përkeqësojë shëndetin e pacientit.

Studiuesit që morën në shqyrtim mbi 160 studime rreth lidhjes mendje – trup u habitën nga të dhënat e vazhdueshme që vërtetonin se gjendja jonë mendore përmirëson apo përkeqëson simptopat dhe sëmundjet e trupit tonë. Studimet treguan se një mendësi apo qasje pozitive e pacientit janë një influencë e fortë në të paturit një trup të shëndetshëm.

Ekspertët që po studiojnë gjithnjë e më shumë lidhjen e ngushtë midis besimeve tona dhe trupit shprehen se tashmë askush nuk mund të mendojë më se trupi ynë operon i pavarur nga mënyra sesi mendojmë apo ajo çfarë besojmë.

 

Foto: Pixabay

Powered by Watch Dragon ball super