“A e lëndoj veten time?! Sigurisht që jo!”

 

Gjatë punës time me klientët, shpesh i pyes nëse e lëndojnë veten ndonjëherë… shumicën e herëve, përgjigja e tyre është  “Sigurisht që jo!”

Por realiteti është ndryshe… shumicën e kohës jemi ne ata që e lëndojmë veten më së shumti. Si mendoni se ndodh kjo? Është shumë e thjeshtë por pak e komplikuar për t’u kuptuar. Ne e lëndojmë veten nëpërmjet mendimeve negative përsëritëse… Më lejoni të shpjegoj më tej.

Nëse ju keni një mjet (mjet çfarëdo) dhe e përdorni vazhdimisht, çfarë do të ndodhë me të? Mjeti do të tendoset deri në shkatërrim dhe të bëhet i padobishëm. Ose, nëse jeni atlet dhe trajnoheni përditë, çfarë mendoni se do të ndodhë me muskujt dhe indet tuaja? Me siguri muskujt tuaj do të lodhen dhe t’ju shkaktojnë dhimbje në sajë të tendosjes së përsëritur të tyre deri në lëndim.

Le të përdorim të njëjtën analogji për trurin: çfarë do të ndodhë nëse vazhdoni të mendoni të njëjtat mendime negative përsëri dhe përsëri? Kjo gjendje do të gjenerojë të njëjtat ndjenja negative dhe sjellje të përsëritur të shkaktuar nga këto ndjenja të cilat do të rezultojnë në DHIMBJE!

Si ndodh kjo?

Përpara se të shpjegoj më tej, më lejoni të flas shkurtimisht rreth emocioneve, ndjenjave dhe mendimeve. Pse dua të flas për këto fillimisht? Sepse njerëzit në përgjithësi (edhe ekspertë në Psikologji dhe Neuroshkencë) shpesh i ngatërrojnë këto terma.

Pra, le të fillojmë me emocionet. Shumica prej nesh besojmë se e kemi të qartë kur flasim për emocionet tona ose thënë ndryshe, për “eksperiencën tonë jo verbale”. Është shumë e rëndësishme që të jemi të vetëdijshëm për emocionet sepse shumica prej sjelljeve tona drejtohet nga eksperienca jonë emocionale.

Emocionet në vijim janë ato që neurobiologu i famshëm Panksepp i konsideron emocione parësore: FRIKË, INAT, PËRKUJDESJE, EPSH, GJALLËRI dhe PËRPJEKJE. Të gjitha “emocionet” e tjera që ne përjetojmë janë në fakt emocione sekondare ose ndjenja të emërtuara ndryshe.

Një emocion ndodh në momentin e tanishëm dhe ne e përjetojmë atë ndërkohë që ai (emocioni) regjistrohet në memorien tonë dhe nëse diçka na ngacmon dhe ne kujtojmë atë memorie, do të kemi ndjesinë si rezultat i mendimit/mendimeve dhe jo emocionin vetë. Këto ndjenja janë produkt i mendimeve tona që mund të jenë të vërteta apo pjellë e fantazisë sonë.

Problemi është se në shumicën e kohës ne nuk e kuptojmë nëse mendimet tona janë të vërteta apo fantazi. Ne besojmë se ato janë të vërteta dhe truri ynë automatikisht gjeneron ndjenja që na bëjnë të ndihemi mirë ose keq.

Nëse mendimet janë negative dhe përsëritëse, ato krijojnë një “Dëmtim” në formën e dhimbjes. Nuk po flas për dhimbje fizike por dhimbje emocionale që na bën të ndihemi:  të trashë, budallenj, idiotë, të marrë nëpër këmbë, që nuk jemi mjaftueshëm, e të tjera.

Kur ne mendojmë vazhdimisht të njëjtat mendime negative, dhimbja fillon të ndihet në pjesë të ndryshme të trupit, veçanërisht në qafë, shpatulla, shpinë apo në kokë. Shumica e dhimbjeve tona krijohen nga emocione apo ndjenja dytësore në momentin që ne nuk jemi të vetëdijshëm që kjo gjë po ndodh.

Ne i krijojmë vetes dhimbje nëpërmjet vetë-sabotimit, duke bërë të njëjtat gjëra dhe duke menduar të njëjtat mendime vazhdimisht.

Hapi i parë dhe më i rëndësishëm është që të bëhemi të vetëdijshëm për çfarë po ndodh në trurin tonë. Si mund ta bëjmë këtë gjë? Vëzhgo sesi po ndihesh. Ndjenjat janë sistemi ynë i drejtues, si GPS i makinës. Kur ne ndihemi keq, kjo do të thotë se në trurin tonë po përsëriten mendime negative. Vëzhgo dhe shpërqëndroje trurin, fillo të mendosh mendime pozitive.

Bëj ushtrime fizike, lëviz fizikisht, bëj stretching apo ec në natyrë. Ka shumë ushtrime të thjeshta që mund të bëjmë në mënyrë që të lehtësojmë veten nga dhimbja që na shkaktojnë ndjenjat negative.

Ky artikull është i pari i një serie artikujsh të shkurtër që do t’ju ndihmojnë juve të kuptoni, observoni dhe të ndërmerrni hapa të thjeshtë për menaxhimin e emocioneve. Deri atëherë, VËZHGO nëse do të bëhesh i/e vetëdijshme rreth veprimtarisë emocionale që po ndodh brenda teje. Por, kini kujdes të mos bëheni obsesivë. Konsiderojeni si një lojë.

Powered by Watch Dragon ball super