Dëshiro për më shumë por vlerëso dhe ji mirënjohës për çka ke!

 

Në këtë artikull trajtoj një temë relativisht të veçantë të cilën jo pa qëllim e kam quajtur “Dëshiro për më shumë por vlerësoni dhe jeni mirënjohës për atë çka keni”. Pse e konsideroj të rëndësishme?

Shumica e njerëzve vrapojnë çdo ditë për të arritur në një destinacion, çfarëdo qoftë ky. Për disa është marrja e diplomes, për të tjerë një punë shumë e mirë apo studime të thelluara dhe diploma apo çertifikime, një shtëpi apo makinë e ëndërruar, pushime të bukura dhe ekzotike; shtëpi të dyta apo të treta e kështu me rradhë.

Kushdo që ka qenë në rrethana të tilla apo të ngjashme me to e kupton shumë mirë se çfarë dua të them. Dhe kjo është normale pasi si qenie njerëzore jemi krijuar për të krijuar, për ndryshim, inovacion, shpikje, një jetë më të mirë etj, etj. Ndryshe shoqëria njerëzore dhe njerëzimi nuk do të kishte arritur këtu ku jemi sot, me një teknologji që po zhvillohet në mënyrë marramendëse, komunikim teknologjik dhe digjital që i ka kaluar ëndrrat më të pabesueshme dhe ne jemi dëshmitarë okularë të këtij realiteti.

Nuk duhet të shkoni shumë larg për të krahasuar, qoftë edhe me 20 vite më parë, 30 vite apo edhe 100 vite më parë. Ndryshimi dhe zhvillimi është marramendës dhe ju lutem më kuptoni që po fokusohem vetëm në aspektet e zhvillimit pozitiv të shoqërisë njerëzore, në të mirat materiale që ne po krijojmë çdo ditë e më shumë si rezultat i teknologjisë dhe informacionit.

Dikush do thoshte: “Po, kemi arritur shumë por gjithashtu ka një varfëri të madhe dhe ekstreme, se polarizimi është shumë i madh, se është paradoksale që me këtë zhvillim të teknologjisë dhe informacionit ka kaq shumë varfëri dhe njerëz të palumtur (të pasur dhe të varfër, por jo vetëm ata – edhe shtresa e mesme!). Nuk do t’i hiqja asnjë presje këtij komenti por në këtë artikull nuk dua të përqëndrohem në këtë aspekt edhe pse meriton një vëmendje shumë të posaçme për t’u trajtuar.

Për të më kuptuar më mirë po i referohem një thënieje të Nelson Mandelës e cila vërtet më ka mbetur në kujtesë: “Pas ngjitjes së një kodre të lartë, kushdo shikon që ka edhe shumë kodra të tjera për të ngjitur. Personalisht do ndaloja një moment për të pushuar e shijuar pamjen e jashtëzakonshme që më ofron dhe ambientin që më rrethon; për të hedhur sytë mbrapa dhe për të parë sa shumë kam arritur deri tani. Natyrisht mund të pushoj vetëm një moment pasi me lirinë vjen dhe përgjegjësia dhe nuk do të guxoja të qëndroja më tepër apo të vonohesha më shumë pasi rrugëtimi im i gjatë ende nuk ka përfunduar”.

Çfarë do të thotë kjo për ju? Kudo që të jeni në këtë moment duke lexuar këtë artikull, ndaloni për pak minuta dhe bëni 2 – 3 frymëmarrje-nxjerrje të thella… për pak çaste “ktheni kokën mbrapa” dhe shikoni ku keni arritur, sa shumë keni bërë në jetën tuaj personale dhe profesionale. Bëjeni tuajën këte ndjesi që unë e quaj Balancë…

Shikoni me krenari ku keni mbërritur deri tani dhe çfarë keni krijuar; jeni mirënjohës për gjithshka keni në jetën tuaj për të hedhur hapat e mëtejshëm që kërkojnë të shpalosni potencialet tuaja por në të njëjtën kohë edhe përgjegjësitë për të arritur më shumë. Guxoni, ndërmerrni hapat drejt suksesit tuaj por gjithmonë shijoni çfarë keni arritur. Truri i njeriut përjeton të gjitha momentet e arritjeve tona, sado të vogla të jenë, duke çliruar hormone të kënaqësisë dhe vetë-realizimit që na motivojnë dhe stimulojnë për të ecur më tej.

Të dashur lexues, “destinacionin e fundit” e dijmë të gjithë dhe në mënyrë të pakuptueshme vetëm vrapojmë drejt tij. A nuk do të ishte më mirë që të ecim përpara, të arrijmë sa më shumë suksese, të krijojmë të mirat materiale që ëndërrojmë por duke i shijuar ato dhe jo vetëm duke menduar “hapi tjetër?”.

Zgjedhjet janë tuajat! Unë po ju ofroj një këndvështrim tjetër… Jeta është e bukur kur ne dijmë ta shijojmë atë dhe t’i japim kuptim!


Foto nga Google

Powered by Watch Dragon ball super