5 Qershor, 2019

Çfarë është Teoria Kaizen (Koncepti i 1%)?

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Shumë prej jush mund të kenë dëgjuar shprehjen “Zhvillimi personal është një maratonë, jo një vrap i shpejtë”, por çfarë do të thotë në të vërtetë? Nënkupton se suksesi nuk mund të arrihet brenda një dite por që ne duhet të punojmë shumë për ta arritur atë, me këmbëngulje dhe kokëfortësi.

Nëse arrijmë të kemi këtë lloj sjelljeje dhe qëndrimi ndaj mënyrës sesi arrihet suksesi në projektet apo sfidat me të cilat përballemi, sigurisht që suksesi do të vijë tek ne. Sa më shumë që punojmë dhe jemi këmbëngulës, aq më lehtë është për ne të krijojmë proçesin tonë të rritjes derisa të arrijmë qëllimet tona.

Por si mund ta bëjmë një gjë të tillë? Duke aplikuar Konceptin e 1%. Për ata që nuk e kanë idenë se çfarë nënkupton kjo teori, ndjehuni të lumtur që po e lexoni tani sepse kjo mund t’ju ndryshojë jetën! Koncepti i 1% nënkupton që nëse ne kontribuojmë vetëm me 1% në proçesin e të përmirësuarit të vetes gjatë ditës, ne do të kontribuojmë me 365% në zhvillimin tonë personal gjatë një viti.

Në fillim, duket sikur asgjë nuk po ndryshon dhe që nuk po bëjmë progres por kjo nuk është aspak e vërtetë. Mjafton të tregoni përkushtim në ndjekjen e programit që keni krijuar për veten dhe kur të shikoni mbrapa pas disa muajsh e të krahasoni veten se si ishit, do të surprizoheni nga progresi i bërë. Shumica e njerëzve duan të përmirësohen në një aspekt të caktuar për një kohë shumë të shkurtër dhe e vuajnë këtë gjë sepse shumica prej tyre dështojnë që në fillim. Sepse ata nuk e kanë kuptuar thelbin… që nuk është e mundur të përmirësohesh në një ditë! Përmirësimi apo rritja kërkon kohën e vet dhe teoria e Konceptit të 1% na ndihmon të fitojmë zakone të mira ditore që do të na përmirësojnë neve vazhdimisht.

Jeta nuk mund të ndryshohet me një shkop magjik. Por, gjëja e parë që duhet bërë nëse ju vërtet po kërkoni të ndryshoni jetën tuaj është të identifikoni problemin apo shkakun që po sjell negativitet në jetën tuaj dhe që ju shtyn të mendoni për ndryshime në jetën tuaj. Më pas, duhet të hidhni Hapin e Parë! Hapi i Parë është shumë i rëndësishëm sepse ju filloni të Veproni për të ndryshuar. Nuk ka rëndësi sa i vogël mund të jetë hapi i parë, thjesht filloni diku. Fillo Sot, fillo TANI. Detyra jonë është të hedhim hapin e parë, progresi do të vijë shumë më shpejt nga ç’mund ta mendoni ju.

SOT është dita perfekte për të ndryshuar, jo nesër. E ardhmja është në mendjen tonë, nuk ekziston ende. E Tanishmja është momenti më i veçantë i jetës sonë. Nëse doni të ndryshoni, filloni TANI, vetëm me 1%. Dhe tregoni këmbëngulje. Përmirësohuni çdo ditë me nga 1% dhe do të filloni të shikoni ndryshime pozitive shumë shpejt.

Çfarë doni të ndryshoni në jetën tuaj?

Nëse doni të filloni një dietë për të rënë në peshë, filloni të reduktoni ushqimin që konsumoni vetëm me nga 1% çdo ditë. Nëse në të kundërt po kërkoni rezultate të menjëhershme, motivimi juaj do të shuhet në pak ditë dhe rezultatet do të jenë zhgënjyese. Ndryshimi kërkon kohë, prandaj duhet të tregojmë durim.

Nëse doni të shpenzoni më shumë kohë me njerëzit tuaj të dashur por jeni gjithmonë të zënë, filloni të shpenzoni 5 minuta më shumë në ditë me të dashurit tuaj. 5 minuta më shumë se zakonisht dhe mundohuni t’ja kaloni mirë ato 5 minuta, kushtojuni vëmendje njerëzve që doni. Një ndryshim i tillë i vogël do të sjellë rezultate pozitive në jetën tuaj. 1% duket si numër i vogël dhe i pavlerë por tek e fundit është diçka që mund të bëhet, sado të zënë që të jeni. Kështu që, filloni që TANI!

Nëse filloni të ndryshoni me nga 1% çdo javë, ju do të keni ndryshuar me 52% në një vit. Mos e neglizhoni teorinë e Konceptit të 1%, do t’ju ndryshojë jetën nëse e praktikoni. Jini këmbëngulës dhe të duruar, rezultatet e vërteta do të vijnë shumë shpejt!

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *