Mjafton pak aktivitet fizik gjatë ditës që ne të ndihemi më të lumtur!

Një studim i kryer nga Departamenti i Psikologjisë në Universitetin e Cambridge në Britani vërtetoi se aktiviteti fizik i trupit, qoftë ky ushtrim fitnes ose tjetër formë aktiviteti, shton nivelet e lumturisë dhe kënaqësisë tek ne.

Studimi u krye me anë të një aplikacioni që mati aktivitetin fizik dhe analizoi raportimet e 10 mijë personave mbi nivelin e lumturisë apo kënaqësisë që ndjenin kur ishin dhe nuk ishin në lëvizje (aktivitete të ndryshme fizike ose ushtrime fitnes).

Nga të dhënat e mbledhura u vërtetua që personat që kryenin aktivitet fizik që vinte në lëvizje trupat e tyre (çfarëdolloj aktiviteti), raportonin se ishin më të lumtur në krahasim me rastet kur trupi i tyre ishte në gjendje qetësie dhe mungese aktiviteti. Studime më të hershme kanë vërtetuar vazhdimisht që ushtrimet fitnes rrisin nivelin tonë të lumturisë dhe përmirësojnë gjendjen tonë psikologjike në mënyrë thelbësore por ende nuk ishte vërtetuar që edhe lëvizjet e vogla fizike të trupit mund të rrisnin nivelin e lumturisë tek ne.

Rëndësia e rezultateve të këtij studimi qëndron në faktin se raportimet treguan se edhe aktivitete fizike minimale (një shëtitje e shkurtër, kryerja e punëve të thjeshta në shtëpi) mund të përmirësojnë gjendjen tonë emocionale.

Studimi gjithashtu vërtetoi se njerëzit më të lumtur ishin ata individë që ishin më aktivë fizikisht gjatë ditës, krahasuar me individë që nuk kishin aktivitet të lartë fizik.  


Burimi: Plos One

Foto: Freepik