5 Qershor, 2019

3 cilësi personaliteti të një lideri – Jim Rohn

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Koncepti i liderit është një nga konceptet më të keqkuptuara nga të rinjtë në ditët e sotme. John Maxwell, një mentor dhe ekspert ndërkombëtar në fushën e lidershipit shprehet se lideri është një individ që ndan vlera dhe jep shembull të mirë tek të tjerët dhe se lider nuk bëhesh nga pozicioni i punës por nga numri i jetëve që ndikon për mirë.

Sipas Jim Rohn, nëse do të bëhesh një lider dhe të kesh miq të mirë, duhet të bëhesh TI një person që manifeston vlera dhe cilësi të mira. Lidershipi është sfida më e madhe e jetës, sipas Rohn. Gjëja më e rëndësishme në rrugëtimin e lidershipit është rafinimi i aftësive dhe cilësive personale. Të gjithë liderët e mëdhenj investojnë në veten e tyre derisa ata bëhen efektivë dhe krijojnë impakt në shoqëri. Ka disa mënyra se si ju mund të rafinoni aftësitë tuaja dhe t’i afroheni modelit të një lideri.

  1. Mëso se si të jesh një person me autoritet, duke manifestuar në të njëjtën kohë një sjellje të mirë.

Ky është një hap i rëndësishëm për t’u bërë nëse doni të jeni një lider i fuqishëm dhe të keni individë që duan të ndjekin shembullin tuaj. Shumë njerëz e konsiderojnë apo e përdorin vrazhdësinë në sjellje si ushtrim force. Një lider nuk do ta bënte asnjëherë një gjë të tillë.

  1. Mëso se si të jesh i sjellshëm por jo i dobët

Të gjithë mund të kemi përjetuar situata ku sjellja jonë e mirë na ka bërë të dukemi të dobët dhe të paaftë për t’u kundërpërgjigjur ndaj një sjelljeje jo të mirë. Sjellja e mirë dhe dobësia nuk mund të keqkuptohen sepse mirësia nuk është dobësi por vlerë e çdo lideri, dhe konsiderohet si një lloj force që e posedojnë njerëz të veçantë. Një lider duhet të thotë të vërtetën ashtu siç është.

  1. Mëso se si të jesh modest por jo i turpshëm

Modestia është cilësi e njerëzve të veçantë, unikë. Kjo jo sepse njerëzit e mëdhenj nuk e vlerësojnë veten, por ata e dijnë se dija është e pafundme dhe asnjëherë nuk është mjaftueshëm për të mësuar gjëra të reja, asnjëherë nuk është mjaftueshëm për të marrë eksperienca të reja dhe se suksesi është një infinit, limitet e të cilit janë të pakufishme. Në të kundërt, të jesh i turpshëm apo i paaftë të vlerësosh atë çka ke arritur është një defekt që duhet korrigjuar.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *